E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, hetim zhdukjes së 502 fëmijëve romë nga Shqipëria

Ministri grek i Drejtësisë Haralambos Athanasiu iu ka kërkuar autoriteteve gjyqësore të hetojnë çështjen e zhdukjes së 502 fëmijëve romë nga Shqipëria, nga një institucion bamirës në Greqi. 

Ministri kërkon të informohet me të gjitha detajet lidhur me rastin e 502 fëmijëve romë nga Shqipëria, të cilët janë zhdukur në vitet 1998-2002 nga jetimorja “Agia Varvara”.

Ministri Athanasiu në letrën e tij dërguar parlamentit pyeti autoritetet gjyqësore kompetente, nëse çështja ka lëvizur me proces penal dhe në ç'fazë është ajo. 

Dokumenti është dërguar në Parlament pas pyetjes së deputetes së SYRIZA, Marjeta Janaku, e cila mbështetej në një raport të Komitetit të   OKB-së kundër Torturës, më 1 qershor 2012. Në këtë raport ndër të tjera, theksohej se "Komiteti është i shqetësuar për rastin, që lidhet me 502, nga 661 fëmijë shqiptarë të rrugës, për të cilët thuhet se janë zhdukur në periudhën 1998-2002 nga Fondacioni grek për fëmijë “Agia Varvara”. 

OKB shprehet veçanërisht e shqetësuar nga fakti se ky rast nuk është hetuar nga autoritetet greke.

Komiteti kundër Torturës në OKB kërkon urgjentisht nga Greqia të bashkëpunojë me autoritetet që të krijohet një mekanizëm efektiv për të hetuar këto raste, të gjenden fëmijët e zhdukur në bashkëpunim me avokatin e popullit të të dy shteteve dhe me organizatat relevante të shoqërisë civile, si dhe të ndahen përgjegjësinë disiplinore dhe penale, të atyre që janë përfshirë në këtë skandal. 

Komisioni gjithashtu rekomandon që të miratohet një politikë gjithëpërfshirëse, për të luftuar shkeljet e të drejtave të fëmijëve të rrugës dhe për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen. 

Në prill 2004 ekzistonte një raport mbi zhdukjen e reth 500 fëmijëve romë nga Shqipëria, të cilët ishin strehuar në fondacionin "Agio Varvara" dhe në vitin 2007 të gjitha dokumentet dhe informatat për këtë rast iu janë përcjellë autoriteteve. Megjithatë, që atëherë e deri sot, asnjë veprim nuk është ndërmarrë.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›