E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, marrëveshje për gjithçka, përveç uljes së pensioneve

ATHINE - Përfundoi pas mesnate, me marrëveshje të cunguar, takimi maratonë i liderëve politikë me kryeministrin Lukas Papadhimos, takim që zgjati pothuajse 8 orë. 

Siç u bë e ditur pas takimit, pati marrëveshje në të gjitha pikat e programit me përjashtim të kërkesës për ulje të pensioneve suplementare, çështje e cila kërkon diskutim të mëtejshëm. Liderët politikë u mandatuan nga kryeministri për të negociuar me Trojkën, skenare alternative mbi këtë cështje. 

Athina ka 15 ditë kohë për përcaktimin dhe shpalljen e masave që sigurojnë 300 milionë Euro, shumë e cila pritej të përftohej nga prerja e pensioneve suplementare.

Ndërkohë që është rënë dakort për pjesën tjetër të kursimeve, që do të sigurohet nga ulja e pagave minimale në masën 22%, ulja e pensioneve bazë në masën 15%, shkurtimi nga puna i 15 000 punonjësve të sektorit publik gjatë këtij viti, mbyllja dhe shkrirja e agjencive publike, ulja e kostove në shëndetësi me 1,1 miliardë euro, reduktimi i 400 milionë euro në shpenzimet buxhetore kryesisht në sektorin e mbrojtjes, reduktimi i 400 milionë euro në investimet publike, si dhe përftimi i 120 milionë euro nga uljet në kompensimet.

Pas takimit të liderëve politikë, në zyrën e kryeministrit mbërritën sërish anëtarët e ekipit të Trojkës. 

Negociatat përfunduan në mëngjes, dhe menjëherë pas tyre ministri i Financave Venizelos u nis në Bruksel ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Eurogrup, sonte në mbrëmje në ora 19:00. Ai u shpreh se shkon në Bruksel “me shpresën se Eurogrup do të marrë një vendim pozitiv për Greqinë”.

Nga programi i ri i ndihmës për Greqinë, varet mbijetesa financiare e vendit dhe perspektiva e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›