E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, mes protestash miratohet buxheti për vitin 2013

GREQI - Parlamenti grek, miratoi mbrëmë në orët e vona buxhetin e ri për vitin 2013. Buxheti u miratua me 167 vota pro dhe me 128 kundër.

Buxheti i propozuar nga Qeveria parashikon masa të reja shtrënguese për vitin 2013, si kusht për të marrë këstin e ndihmës me vlerë 31.5 miliardë euro, prej kreditorëve të huaj. 
Buxheti parashikon një defiçit buxhetor më të lartë se sa pritej dhe recesion më të thellë, pasi masat shtrënguese të përsëritura po i lënë gjurmët e tyre në ekonomi. Deficiti i përgjithshëm buxhetor në vitin 2013 pritet të jetë 5.2% të PBB, ekonomia do të tkurret me 4.5% në vitin 2013 dhe borxhi publik parashikohet në 189,1% të PBB-së. Një tjetër paketë shtrënguese për rritjen e taksave dhe shkurtimet e pensioneve u miratua javën e kaluar.

Kryeministri Antonis Samaras më herët kishte paralajmëruar se pa kredi të re, Greqia do të dalë nga Eurozona të premten.

Përpara votimit, më shumë se 10 mijë protestues u mblodhën jashtë Parlamentit duke protestuar kundra miratimit të buxhetit. 

Me 2 projektligje të rëndësishme të miratuara nga Parlamenti, ministri grek i Financave Janis Stournaras shkon në mbledhjen e Eurogrupit, e cila sot duhet të merrte vendim për lirimin e këstit të ndihmës. Por deklaratat e ditëve të fundit të zyrtarëve evropianë, e vënë në dyshim diçka të tillë.
(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›