E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, ministri Sturnaras: Nuk do të merren masa të reja

Ministri i financave, Janis Sturnaras, ka informuar kryeministrin Samaras dhe zëvendëskryeministrin Venizelos, për rezultatet e takimit të Eurogrupit. 

Sturnaras iu referua kritikave se Greqia e mori këstin e kredisë “të cunguar”. “Ne e morëm këstin pikërisht ashtu siç është përcaktuar në programin e financimit”, tha ai dhe shpjegoi se nga ana e Komisionit Europian u propozua që vlera e këstit të ishte më e lartë, por disa shtete anëtare thanë se kjo shkakton vështirësi në parlamentet e tyre, kështu që kjo çështje u la të shihet nga muaji tetor e tutje. “Prandaj ishte një zhvillim pozitiv, nisur dhe nga vështirësitë politike që patëm muajin e fundit”, shtoi Sturnaras. 

Sturnaras përgënjeshtroi edhe zërat sipas të cilave ekziston një vakuum fiskal në zbatimin e programit, që presupozon marrjen e masave të reja. Ministri i financave deklaroi se gjatë vitit në vazhdim nuk do të merrren masa të reja. "Për 2014-n është shumë e mundur të mos merren masa të reja, ndërsa për periudhën 2015-2016 nuk e di nëse do të nevojiten”, deklaroi ai. 

Dijsselbloem: Në prill 2014, vendimi për ndihmë të re
“Eurozona është e gatshme të ndihmojë edhe më tej Greqinë dhe për këtë do të vendosë në pranverë 2014, para përfundimit formal të programit aktual të mbështetjes ndaj Athinë”, deklaroi presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, i intervistuar nga gazeta franceze Le Figaro. 

“Rasti i Greqisë është shumë i vështirë, do të nevojitet kohë”, shpjegoi Dijsselbloem. “Programi i përmirësimit gradualisht po merr rrugën e vet dhe eurogupi parashikon se së shpejti do të miratojë disbursimin e këstit të tretë të kredisë”, shton kreu i këshillit të ministrave të financave të eurozonës. 

Ndërkaq, Dijsselbloem përjashtoi si një zgjidhje “mashtruese”, mundësinë e një reduktimi të ri të vlerës nominative të borxhit grek, pjesën më të madhe të të cilit tashmë e posedojnë shtetet europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Lagarde: Greqia më ka impresionuar 
Drejtoresha e përgjithshme e FMN, Christine Lagarde, ka shprehur kënaqësinë e saj për progresin e Greqisë, duke theksuar se është e impresionuar nga përpjekjet që ka bërë vendi për përmirësimin e situatës fiskale.

Në rrjetin televiziv amerikan CNBC, Lagarde tha se Greqia gjendet në rrugën e rëmëkëmbjes. Ndërmjet të tjerash, tha se buxheti në Greqi mund dhe do të jetë suficitar në fund të vitit në vazhdim, megjithëse nevojitet më shumë punë në fushën e reformave.

“Impresionohen kur shoh përpjekjet e Greqisë për rimëkëmbjen e financave të vendit. Eshtë absolutisht e mundshme që në fund të 2013-s Greqia të disponojë suficit primar, fakt që përbën një arritje të jashtëzakonshme”, deklaroi kreu i FMN.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›