E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi – Ukrainë mbyllet pa gola ndeshja në Athinë

Greqia dhe Ukraina nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola ndërmjet tyre, në sfidën për plejof të zhvilluar në Athinë. Ky rezultat lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet të mërkurën në Donjeck. Të dyja skuadrat shquhen për stilin e tyre mbrojtës, megjithatë në fushë ndeshja dhuroi raste të shumta.
Pas 3 minutash ishte Andrij Shevçenko që rrezikoi me një goditje dënimi, ndërsa në fundin e pjesës së parë golshënuesi më i mirë i Greqisë, Theofanis Gekas, humbi rastin më të pastër të ndeshjes. Portieri ukrainas Piatov ishte i shkëlqyer në atë moment, duke ndalur një gol të sigurt. Mikalik ishte ai që rrezikoi për ukrainasit në pjesën e dytë, por edhe në këtë rast portieri helen Çorvas ishte i saktë. Grekët mund të kishin dalë fitimtarë nga ky takim në rast se mbrojtësi i Liverpulit Sotiris Qirjakos do të kishte realizuar në sekondat shtesë, por gjuajtja e tij me kokë ishte e gabuar.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›