E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ndjekja e klandestinëve në Evros, 3 të vdekur

ALEKSANDROPOLIS - Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Greqi, ku 3 persona kanë vdekur dhe 4 të tjerë janë plagosur, gjatë ndjekjes së policisë kufitare evropiane FRONTEX të një makine me emigrantë klandestinë. 

Incidenti ndodhi kur policia zbuloi makinën me klandestinë në udhëkryqin Likofis dhe i bëri shenjë shoferit të ndalonte, por ai e shtoi shpejtësinë dhe u drejtua për në Aleksandropolis. 

Gjatë ndjekjes shoferi, që sipas policisë ishte edhe kontrabandisti, në kryqëzimin Ardhani, e përplasi mjetin me dashje duke e nxjerrë nga rruga, ku u përfshi nga flakët. Për pasojë 3 prej persona që ndodheshin në bordin e makinës u dogjën, ndërsa të tjerët, 2 iranianë dhe 2 kinezë po trajtohen në spital me plagë të të rënda. Në automjetin e FRONTEX kanë qenë dy oficerë sllovenë dhe një grek. 

Policia bën të ditur gjithashtu se në një tjetër operacion janë arrestuar 3 trafikantë, një shqiptar, një Iranian dhe një irakian, që organizonin trafikimin e emigrantëve të paligjshëm nga Greqia për në Itali. 

Kohët e fundit në Greqi është duke u zhvilluar një operacion i gjerë për largimin e emigrantëve klandestinë, të cilët e përdorin këtë vend si rrugë tranzitore për të kaluar drejt vendeve të BE.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›