E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, një vetëvrasje në çdo 3 ditë për shkak të krizës

ATHINE - Fenomeni i vetëvrasjes është bërë një “kamzhik social” në Greqi, ku pothuajse çdo ditë njoftohet për njerëz nga i gjithë vendi, që në momente dëshpërimi zgjedhin t'i japin fund jetës së tyre, ndërsa në më pak se një muaj kanë vrarë veten 12 qytetarë grekë, njerëz që nuk munden të përballojnë pasojat e krizës ekonomike.

Vetëm ditët e fundit vështirësitë financiare iu vunë “lakun në fyt” një 40 vjeçari dhe një 60 vjeçari, në zonën Gyzi Agrinio, ku të dy janë gjetur të varur në shtëpitë e tyre.

Dje pasdite u gjet i vetëvarur në dyqanin e pjesëve të makinave një 50 vjeçar biznesmen, ndërsa në Lamia, një bujk e la traktorin e tij të rrokulliset mbi të dhe ta shtypë.

Në të njëjtën ditë, një 44 vjeçar në Kimi, babai i dy fëmijëve të mitur, zgjodhi për t'i dhënë fund jetës së tij me një armë gjahu. 

Të mërkurën, në 25 Prill, komuniteti universitar u trondit nga vetëvrasja e pedagogut 38 vjeçar në Universitetin e Athinës, Nikos Polyviou. 38 vjeçari ishte zgjedhur prej dy vjetësh në postin e pedagogut, por nuk ishte emëruar kurrë, për shkak të ngrirjes së emërimeve sipas Memorandumit të Trojkës.

Më 23 prill, një 79 vjeçar zgjodhi të mbytet në det, në portin e Prevezës, ndërsa komuniteti i Neapolit u trondit nga vetëvrasja e priftit 35-vjeçar nga Shqipëria. Prifti që prej vitesh kishte ardhur nga Shqipëria në Greqi, i dha fund jetës duke u hedhur nga ballkoni, dhe nëna e tij e pa skenën e tmerrshme pasi në atë çast hyri në dhomë.

Më 21 prill, u vetëvar një 57 vjeçar, ndërsa një ditë më parë më 20 prill, opinioni në Heraklion të Kretës u trondit nga vetëvrasja e një 54 vjeçari me profesion kontabilist, i cili gjithashtu u gjet i varur në shkallët e ndërtesës ku banonte.

Më 10 prill, ndodhën dy vetëvrasje e tjera, që të dyja për shkak të krizës ekonomike, duke e mbyllur listën me vetëvrasjen në publik të pensionistit 77 vjeçar në 4 prill në mes të Athinës.

Këto janë disa nga rastet e qytetarëve të pashpresë të këtij vendi, që në një çast shumë të vështirë psikologjik dhe shpirtëror vendosin t’i japin fund jetës, pasi nuk munden të përballojnë jetesën që tashmë është bërë tepër e vështirë, në kushtet e papunësisë, uljes së pagave etj.

"Shoqëria greke po përjeton “kulmin” e pasojave të kushteve të Memorandumit", thotë psikiatri Dimitris Bukuras, duke theksuar se studimet shkencore kanë dalë në përfundimin se një rritje prej 3% në nivelet e papunësisë, shkakton një rritje prej 4, 5% të vetëvrasjeve.
Ai thotë se përveç vështirësive ekonomike që çojnë në vetëvrasje, një tjetër faktor që nxit aktin ekstrem, është edhe stina e vitit. "Eshtë vënë re se gjatë pranverës dhe në vjeshtë vetëvrasjet shtohen. Kjo, sepse njerëzit me probleme psikopatologjike, nuk janë në gjendje të përballojnë përveç problemeve të tyre edhe "ndryshimet" e imponuara nga periudha e re e vitit”, shpjegon ai.
Psikiatri vëren se për herë të parë shteti grek është përballur me një fenomen të tillë, që iu imponua atij nga shtrëngimet financiare, ndërkohë që para krizës njihej si një nga vendet me numër të ulët vetëvrasjesh për shkak të standardit mjaft të mirë të jetesës për të gjithë popullsinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›