E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, partitë bëjnë përpjekjet e fundit para heshtjes elektorale

Me 17 qershor grekët do u drejtohen qendrave të votimit për herë të dytë brenda dy muajve pasi Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 6 majit nuk prodhoi maxhorancë të aftë për të qeverisur vendin.

Zgjedhjet e 17 qershorit shikohen si vendimtare në Greqi, pasi në këtë ditë pritet të përcaktohet fati i vendit në lidhje me Eurozonën.

Partia konservatore pro dorëzanisë, Demokracia e Re, e cila u rëndit e para në zgjedhjet e kaluara, do të mbajë një miting të madh mbrëmjen e sotme në Athinë.

Ndërkohë që Syriza, blloku ekstremist kundër marrëveshjes së dorëzanisë mbajti një miting mbrëmjen e djeshme në Athinë. Këto dy grupime shikohen si rivalët kryesorë për të fituar zgjedhjet e së dielës dhe për të krijuar qeverinë e ardhshme të vendit, pasi mbështetja ndaj Pasokut ka rënë ndjeshëm.

Sondazhet e fundit tregojnë një rënie të lehtë të mbështetjes për partitë kundër marrëveshjeve me ndërkombëtarët, por gjithsesi ato kuotohen më lart se në zgjedhjet e 6 majit.

Ndërkohë, e përditshmja greke “Ekathimerini” shkruan sot se ministrat e Financave të BE-së do të takohen të dielën pasdite menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-06-15 17:33
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›