E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, përfundoi pa probleme parada ushtarake e festës

ATHINE - As 30 minuta nuk zgjati sot parada ushtarake në Athinë, që u zhvillua me rastin e 25 Marsit, festës kombëtare të Greqisë. Parada përfundoi pa probleme, ndërkohë që policia e kryeqytetit grek ishte e gjitha në këmbë për të siguruar mbarëvajtjen e saj.

Në rrugët e Athinës ishin të pranishëm rreth 4000 oficerë policie, ndërsa në gatishmëri ishin të gjitha forcat e sigurisë. Në gatishmëri ishin edhe prokurorët në të gjithë vendin, të cilët mbikëqyrën punën e autoriteteve policore, për të ndërhyrë aty ku ishte e nevojshme.

Athina ishte blinduar dhe sipas informacioneve policore, ekzistonte një plan për largimin me siguri të politikanëve në rastin e incidenteve. Në çdo rast, urdhri i shtabit të Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit dhe kujdesi kryesor i autoriteteve ishte që të mos ndalohej apo anulohej parada. 

Frika ishte për përsëritjen e incidenteve si ato të 28 Tetorit të vitit të kaluar në paradën e Selanikut, me presidentin Papulias.

Në fillim të paradës, një grup prej rreth 20-30 personash në sheshin Sintagma, bërtitën "hajdutë" dhe "tradhtarë" drejtuar politikanëve, por u izoluan menjëherë nga policia.

Pak para orës 11:00 Presidenti i Republikës, Karolos Papulias vendosi një kurorë në varrin e Ushtarit të Panjohur, ku mbërriti më pas edhe kryeministri së bashku me kryetarin e Parlamentit.

Gjatë fjalës së tij pas paradës ushtarake, presidenti grek Karolos Papulias shprehu nevojën për unitet dhe harmoni. “Nuk do përulemi dhe duhet të rivendosim dinjitetin e popullit grek, që nuk e meriton këtë sjellje evropiane. Ne do të vazhdojmë luftën tonë dhe do të jemi fituesit. Jam i bindur se do t’i arrijmë qëllimet tona”, deklaroi ai

25 marsi është festa kombëtare e Greqisë, kur kujtohet fillimi i revolucionit të vitit 1821 dhe lufta kundër turqve, që coi në njohjen e shtetit grek në vitin 1830 nga Traktati i Londrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›