E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi protestat per taskat e rruges

Duke mbajtur në dorë pankarta që shkruanin “Rrugët nacionale janë pasuri kombëtare” dhe “Mos paguani tarifën”, qindra grekë, anëtarë të komisioneve të ndryshme të qytetarëve, kanë ngritur barrën në dhjetra pika të ndryshme të rrjetit rrugor të vendit, në shenjë proteste për rritjen e pashpjegueshme me gati 35% të tarifave të rrugës.

Nga Athina deri në Selanik dhe nga Aleksandrupoli deri në Igumenicë, pothuajse në çdo 50 km, ndodhen pergjatë autostradave, stacionet e pagesës së tarifave për të gjitha automjetet. Por vitet e fundit ato janë bërë më të shpeshta, ndërsa kanë rritur çmimet.

“Kjo është një protestë më shumë, në valën e të gjitha atyre që janë zhvilluar deri tani. Ajo shpreh indinjatën, zemerimin dhe pakënaqësinë e popullit për këto stacione shumë të shtrenjta, por edhe shumë të shpeshta. Njerëzit duhet të refuzojnë që t’i paguajnë tarifat”, është shprehur Christos Panagis, përfaqësues i komisionit kundër tarifave, Athinë.

Për mëse pesë orë gjatë ditës së diel, anëtarët e këtyre komisioneve kanë mbajtur hapur të gjitha këto stacione duke ngjallur entuziasmin e gjithë drejtuesve të automjeteve të vendit.

“Vetëm që të shkoj dhe të kthehem nga puna ime më duhet të paguaj 1500 euro në vit. Kjo është e papranueshme”, tha Stratis Loupatzakis protestues.

Protesta ka ngjallur edhe reagimin e shtypit europian që sheh me habi paradoksin grek, ku në vend që çmimet të ulen për shkak të krizës dhe reduktimit të rrogave, ato çdo ditë shënojne rritje.

Vlen për t’u përmendur se në vendin ku shitet benzina më e shtrenjtë në Europë, përveç tarifës për rrugët e ndërtuara deri tani dhe mirëmbajtjen e tyre, qytetarët paguajnë në disa stacione edhe një shume, për rrugët e reja që do të ndërtohen në të ardhmen, ndërkohë që edhe segmentet ekzistuese rrugore nuk shquhen për cilësi të lartë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›