E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, qeveria shpall masat për pagat e privatizimet

 ATHINE-Vendime të vështira që pritet të kenë efekt të menjëhershëm, ka marrë kabineti qeveritar në një mbledhje të zhvilluar orët e pasdites. Ministri i Financave Evangelos Venizelos, i cili e përshkroi me tone dramatike situatën në vend, pohoi se “qeveria po merr vendime të dhimbshme”.

Privatizimet

Ministri i financave dhe zëvendëskryeministri Venizelos theksoi se Greqia do të përshpejtojë reformat dhe ndryshimet strukturore, por edhe privatizimin.
Ai sqaroi se programi i privatizimit synon sigurimin e 5 miliardë € në 2011 dhe 28 miliardë € deri në vitin 2014.

Vala e para e privatizimit përfshin privatizimin e kompanisë së basteve dhe lojërave të fatit OPAP, dhënien me koncension të aeroportit ndërkombëtar të Ahtinës “Eleftherios Venizelos”, pjesëmarrjen e shtetit në kompaninë greke të naftës “Helenic petroleum” dhe kompani e pasuri të tjera publike.

Ristrukturimi i sektorit publik

Qeveria ka vendosur ristrukturimin e sektorit publik, i cili ishte parashikuar fillimisht të bëhej gjatë një periudhe 9 mujore, por që tani do të kryhet brenda javëve të ardhshme, ku përfshihen shkrirje, bashkime, apo mbyllje të operatorëve.

Sistemi i ri i pagave

Qeveria vendosi krijimin e një sistemi të ri uniform të pagave, duke hequr dallimet individuale në sektorin publik, gjë që sipas ministrit Venizelos do t’iu japë fund padrejtësive dhe pabarazive, duke i lënë vendin shpërblimit tw bazuar në meritokraci. Qeveria vendosi që në parim cdo punonjës të paguhet në bazë të rezultatit të punës së tij. Kjo do të thotë se punonjësit që punojnë në të njëjtin vend, nga i njëjti vit dhe me të njëjtin kualifikim, do të kenë pagë të barabartë.

Profesionet e mbyllura

Qeveria vendosi gjithashtu ndryshime në tregun e punës, nëpërmjet hapjes së të gjitha profesioneve të mbyllura. Kjo do të bëhet më parë se sa ishte parashikuar dhe me një konsultim publik që do të ketë kohëzgjatje shumë të shkurtër deri në finalizimin e vendimeve.

Sistemi i ri tatimor

Z. Venizelos njoftoi një sistem të ri tatimor, i cili sipas tij duhet të kufizojë evazionin fiskal dhe ekonominë informale.
Sa i përket shpenzimeve publike, ministri siguroi se cdo ent publik që nuk deklaron gjendjen ekonomike reale, nuk do të subvencionohet nga shteti.

Venizelos tha se Greqia po e sheh veten në një situatë të vështirë, prej së cilës nuk mund të dalë pa bërë ndryshime. "Nëse nuk vazhdojmë përpara nuk mund t’ia dalim" tha ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›