E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, shmangen zgjedhjet, aleatët pranojnë masat

Pas një takimi dramatik prej dy orësh, nën hijen e rrezikut të rënies së qeverisë, me pasoja të paparashikueshme, tre krerët e partive në koalicion, më në fund ranë dakord për t’i paraqitur Trojkës masat për kursimin e 11.5 miliardë euro, gjatë viteve 2013-2014.

Megjithë rezervat e forta që kanë shprehur më parë, kreu i PASOK dhe ai i DIMAR pranuan projektin e kryeministrit Samaras dhe Ministrit të Financave për paketën e masave, duke përfshirë edhe një shkurtim të ri drastik në paga dhe pensione. 

"Më duhet të pranoj. Ne nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje, siç bëri Demokracia e Re nëntorin e kaluar. Do t’i qëndrojmë programit të marrëveshjes", tha kreu i PASOK pas takimit. Venizelos theksoi se "është zgjedhje dhe përgjegjësi e kryeministrit, që masat për 11.5 miliardë euro të merren menjëherë”.

"Vendimi krijon klimë besueshmërie ndërkombëtare për Greqinë. Si kryeministër unë kam detyrë dhe përgjegjësi. Nëse nuk e marrim tani këtë vendim, do të hymë në izolim dhe do të përballemi me dyer të mbyllura", mësohet t’iu jetë drejtuar kryeministri Samaras aleatëve të tij. 

Dy udhëheqësit i kërkuan kryeministrit të ushtrojë presion, për të bindur partnerët që të ndihmojnë ekonominë greke me instrumente të veçanta, kryesisht financiare, në mënyrë që ajo të mos zhytet në recesion. Gjithashtu ranë dakord që masat të jenë sa më të drejta, por linja e kursimeve nga shkurtimi i rrogave dhe pensioneve, (rreth 5.5 miliardë), lë pak hapësirë për ndjeshmëri.

Ministri i Financave, Stournaras tha se negociatat me Trojkën do të fillojnë menjëherë dhe theksoi se një objektivi kyç është "për të minimizuar ndikimin social të masave". Nga kjo paketë masash varet edhe disbursimi i këstit të ndihmës 31.5 mld euro për Greqinë. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›