Karrocat e romëve, Hoxha sqaron Avokatin e Popullit
Tiranë- Pas apelit të komunitetit rom ndaj bashkisë së Tiranës që kjo të lejojë qarkullimin e tyre me karroca, kryeinspektori i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha, ka zhvilluar sot një takim me Avokatin e Popollit, Igli Totozani.
Zyra e shtypit e institucionit të Avokatit të Popollit njofton se Hoxha u është përgjigjur pyetjeve të ekspertëve të Avokatit të Popullit, në funksion të hetimit administrativ që ka ndërmarrë institucioni lidhur me disa ankesa të qytetarëve romë për dhunë fizikë dhe psikologjike të ushtruar nga ana e Policisë Bashkiake.
Përveç sa më sipër sipas deklaratës për shtyp Hoxha garantoi për bashkëpunim dhe vënien në dispozicion të institucionit të Avokatit të Popullit çdo informacion, aktet dhe praktikat që kanë lidhje me këtë çështje.
Pak ditë më parë mbi këtë fenomen u zhvillua edhe një koferencë me përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kanë deklaruar se anëtarët e komunitetit rom i përdorin karrocat për të mbledhur kanaçe dhe hekurishe. Por bllokimi i tyre ka lënë rreth 800 familje pa bukë, sepse jetesa e tyre mbahet vetëm tek shitja e metaleve.
/IDEA/