E Diel, 1 Nëntor 2026

Bleona Qereti: E mbarova albumin, së shpejti tur në Shqipëri

TIRANE - Kemi lajme të mira nga përtej oqeanit. Bleona Qereti, është drejt kurorëzimit të ëndrrës së saj, që mban emrin Hollywood. Albumi ka përfunduar tashmë; në axhendë është xhirimi i videos dhe turi mbarëbotëror që do të nisë me Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi. Jeta private që duket se me gjithë thashethemet që qarkullojnë vazhdon të shkojë vaj, filmi me Steven Seagal dhe dita e Bleonës nga mëngjesi në darkë...Në një rrëfim te veçantë për faqet e verës.
Bleona, cilat janë angazhimet e tua këto kohë?
Unë jam në përfundim të albumit dhe në prag të xhirimit të videos së parë në album.
Kanë ardhur lajme që ke punuar me producentin Timbaland, e madje se ke përgatitur një këngë me motive popullore; është shkruar se ke regjistruar në studion e Michael Jackson; ke punuar me një nga kompozitorët e Rihannës, Tiao Cruz Makeba, etj. Çfarë ka ndodhur me këngët që ke realizuar në këto studio?
Këngët kanë përfunduar pothuajse të gjitha. Timbaland ka bërë 3 këngë, Rodney Jerkins (Darkchild) ka bërë 3 këngë, dhe këngët e tjera janë realizuar nga Skydancers në Francë dhe Stopwaitgo në Iceland. Siç thashë më parë, jam në prag të xhirimit të videos së parë. Drejtori i videos do të jetë Ray Kay (Ray ka bërë të gjitha videot, duke nisur nga Brintey deri te Gaga). 
E ke thënë gjithnjë se qëllimi yt është tregu ndërkombëtar i muzikës. U bënë vite tashmë...Çfarë ke arritur në këtë qëllim deri tani dhe çfarë ka mbetur ende?
Po, është e vërtetë. Sigurisht që janë bërë vite, sepse gjërat nuk janë të lehta. Po të ishin, çdo njeri do kishte ardhur këtu dhe do kishte bërë namin. Para disa ditësh pashë në kinema filmin e Katy Perry dhe aty kuptova që unë kam qenë me shumë fat që e gjithë kjo punë më në fund është në prag të përfundimit, mbasi Katyt i janë dashur pothuajse 7 vjet për të nxjerrë albumin. Është jashtëzakonisht shumë e vështirë dhe asnjë njeri nuk të garanton sukses. Atë ta garanton vetëm publiku.
Kanë dalë shumë yje muzikore botërore ndërkohë përgjatë këtyre viteve. Cili është sekreti i të qenit i famshëm në botë?
Të gjithë këta njerëz që kanë dalë ju i shikoni në televizor dhe kujtoni se janë bërë yje për një natë. Të tërë këta njerëz pa përjashtim kanë ndenjur underground për të paktën 2-3 vjet.
Besoj se kjo është një punë që do edhe shumë investim financiar. Sa e kushtueshme ka qenë për ty, dhe si ia ke dalë?
Siç bëjnë të gjithë, me sakrifica. Kur unë dëgjoj çfarë sakrificash kanë bërë njerëzit këtu, çuditem. Unë të paktën kam një shtëpi dhe mamin e babin që më japin ngrohtësi. Nuk ka nevojë të përmendim çmime; unë kam bërë me të vërtetë shumë sakrifica, por nuk jam pishman.
Ke deklaruar diku në një media shqiptare, se tapeti i kuq të ka njohur me shumë personazhe të famshëm e madje se disa prej tyre i ke miq. A janë në fakt kaq të hapur VIP-at botërorë për të zënë miqësi të reja dhe çfarë do të thotë për ty kjo miqësi?
Sigurisht që janë të hapur. Këtu nuk ka xhelozi, (të paktën në fytyrë kur të takojnë, ose kur janë përpara kamerave), miqësia është thjesht miqësi. Unë dal për ndonjë çaj pasdite apo në darkë me njerëz të njohur këtu por, ata që kanë në dorë të të ndihmojnë nuk janë yjet e Hollywood-it (aktorët apo këngëtarët). Janë ata që rrinë mbrapa skenës dhe nuk dalin kurrë në televizor. Dhe unë kam shumë miq edhe nga ajo kategori. Por një gjë është e sigurtë: Sado shoqe apo mike të të kenë, je ti ajo që duhet të kesh talent dhe t’ju provosh në më tepër sesa një rast që ti bën për këtë punë. Është si tip testi. Duhet ta kalosh! Dhe je ti ajo që do dalësh në skenë në fund të fundit dhe do masësh forcat me gjithë të tjerët.

(intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Summer Pages (Gazeta Shqiptare))
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›