E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, shqiptarët e arratisur pranë kufirit. U përpoqën të shpëtojnë Alket Rizain

Sot është e pesta ditë që vazhdon ndjekja policore për 4 shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas. 

Sipas informacioneve më të fundit që bëhen publike në media, shqiptarët kishin planifikuar të ndihmonin edhe në arratisjen e Alekt Rizait nga burgu i Dhomokos, duke kryer një sulm të armatosur dhe duke shpërthyer murin e jashtëm rrethues, për ta ndihmuar atë të linte burgun. Në këtë përfundim kanë arritur zyrtarët e policisë, pas analizës së një bisede mes Rizait dhe njerëzve që ndihmuan në arratisjen e Trikalas në mars të këtij viti. 

Policia bën lidhjen me përplasjen që ndodhi dje në të gdhirë mes të arratisurve dhe oficerëve të policisë në zonën e Artës, ku shqiptarët hapën zjarr, ngjarje që sipas policisë e pengoi planin e tyre dhe i detyroi të vazhdojnë rrugën në zonën drejt kufirit. 

Sipas të dhënave të sotme, shqiptarët ndodhen në zonën e lumit Aheronda dhe Kalama dhe policia mendon se ata kanë 2 rrugë për t’u larguar, nëpërmjet lumit të rrëmbyer ose nga toka dhe ka marrë masa që të kontrollojë terrenin nga toka, nga ajri, madje edhe nga deti. 

Ka 5 ditë që shqiptarët levizin nëpër terren duke grabitur makina në fshatra të ndryshme, të cilat më pas i braktisin dhe vazhdojnë rrugën në këmbë.
Mbrëmë vonë policia po hetonte zonën me ndihmën e kamerave termike. 

Zyrtarët e policisë besojnë se të arratisurit do të përpiqen të hyjnë në Shqipëri, kështu që kanë vënë në gatishmëri dhe forcat policore të zonës pranë Janinës e Igumenicës. Në të njëjtën kohë, në zonën detare afër Prevezës ka anije patrullimi të Igumenicës për të parandaluar arratisjen e mundshme të shqiptarëve nga deti. 

Cilët janë 8 shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas
Mendohet se personat që kërkohen nga policia janë Marian Kola, Ilir kupa, Flaulant Luli dhe Fatos Sulaj. 

Ermal Lita është arrestuar më herët, pasi së bashku me Admir Murataj kryen një grabitje në një supermarket në Peristeri. Murataj i shpëtoi arrestimit dhe së bashku me Klement Cala grabitën rreth 1 mln euro në bankën e Larisës. Policia nuk është në gjendje të thotë nëse këta të dy janë arratisur në Shqipëri apo do të “financonin” arratisjen e Rizait. 

I teti i arratisur nga burgu i Trikalas ishte 25 vjecari Edison Lika, i cili së bashku me xhaxhanë e tij Flamur Lika, mbetën të vrarë në përleshje të armatosur me policinë mbrëmjen e 2 korrikut. 

(a.jole/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›