E Diel, 1 Nëntor 2026

KVV: Kolegji s'mund të shpërndajë mandatet, KQZ të certifikojë rezultatin

TIRANE- Ndërsa KQZ nuk ka shpallur ende rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për të gjitha qarqet, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh shqetësim për certifikimin e rezultatit zgjedhor dhe ndarjen e mandateve të deputetëve. Në kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon të funksionojë vetëm me katër anëtarë, KVV nënvizon se ligji ia dedikon vetëm KQZ-së certifikimin e rezultatit, për të cilin duhet miratimi i të paktën 5 anëtarëve të këtij komisioni. 

Në një konferencë për shtyp, KVV thekson se kodi e përcakton Kolegjin Zgjedhor si të përkohshëm dhe si rezultat, ai nuk mund të shpërndajë mandatet e deputetëve.

“Një akt i tillë mund të deligjitimojë të gjithë procesin. Duhet që KQZ të bëjë certifikimin e procesit zgjedhor.”- thuhet në deklaratën e KVV-së.

Ndërkohë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë e cilëson pozitiv ecurinë e procesit zgjedhor të 23 qershorit. KVV nënvizon se problemet gjatë zgjedhjeve kanë qenë të vogla, duke e vënë theksin tek votimi familjar, i cili shtrihet në një pjesë të mirë të vendit.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shprehu shqetësim lidhur me ankesat e depozituara në KQZ, pasi sipas tyre, asnjë prej problemeve të evidentuara në ditën e votimit nuk është ankimuar nga partitë politike.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›