E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, si ndikon “prerja” e borxhit tek qytetarët?

ATHINË- Të gjithë po dëgjojmë këto ditë në lidhje me mundësinë e "prerjes" prej 50% të borxhit grek. Edhe pse teorikisht reduktimi numerik i borxhit duket të jetë diçka "pozitive", pasojat mund të jenë të rënda në çdo fushë. Po çfarë do të thotë praktikisht "prerje" e borxhit për qytetarin e thjeshtë?

Depozitat
Bankat do të pranojnë presion të madh mbi likuiditetet, dhe do të vuajnë humbje të konsiderueshme për shkak të obligacioneve të mbajtura prej tyre. Për mbështetjen e tyre do të jepen fonde nga Fondi emergjent i Eurozonës (EFSF). Teorikisht nuk ka asnjë problem, por problemi do të jetë nëse për arsye "psikologjike", depozituesit do të nxitojnë për të tërhequr paratë e tyre masivisht nga banka, edhe pse nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë.

Kreditë
Presionet për likuiditete në banka, mund të rezultojnë në pezullimin e të gjitha kredive, deri në sqarimin e situatës. Nëse EFSF përgjigjet drejtpërdrejt për të siguruar likuiditet, problemi është i vogël dhe më afatshkurtër. Por nëse problem vazhdon, atëherë bankat do të ndalojnë dhënien e kredive për mjaft kohë, por do të vazhdojnë të kërkojnë shlyerjen e kredive të dhëna tashmë. Megjithatë mund të bëhet një lëvizje e koordinuar për rregullimin e kredive, zgjatjen e shlyerjeve ose të paguhet interes vetëm për një periudhë të mjaftueshme, me qëllim parandalimin e kolapsit të paaftësisë paguese në gjithë sistemin.

Pagat dhe pensionet
Në sektorin privat nuk do të kishte probleme të menjëhershme, ose do të vëreheshin vetëm në kompanitë e vogla, por në vitin e dytë mund të ketë reduktim të pagave dhe pushime masive nga puna.
Në sektorin publik, përtej masave të njohura tashmë, mund të ketë vonesat prej disa javësh në pagesën e rrogave dhe pensioneve. Problemi i madh ka të bëjë me qëndrueshmërinë e fondeve të pensioneve me kalimin e kohës.

Mallrat e konsumit
Nëse Greqia mbetet në Euro, nuk ka asnjë problem për furnizimin e artikujve të importuara nëpër supermarkete. Çmimet e mallrave pritet të bien në përshtatje me uljen e standardit të jetesës.

Pronat
Ashtu si për mallrat e konsumit, edhe çmimet e pasurive të patundshme do të bien ndjeshëm. Por ata që kanë blerë më parë një shtëpi me kredi, do të vërejnë një rritje në përqindjen së kredisë ndërsa vlera e pasurisë së tyre do të ndjekë rrugën e kundërt, duke rënë ndjeshëm.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›