E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, sot shansi i i fundit për një qeveri uniteti

ATHINE - Liderët politikë grekë, me përjashtim të kreut të Agimit të Artë, janë mbledhur tek presidenti i vendit, në një përpjekje tjetër për krijimin e qeverisë, që do të shmangte zhvillimin e zgjedhjeve pas pak javësh.

Presidenti Papulias sugjeroi në takimin e mbrëmshëm krijimin e një qeverie uniteti me personalitete të njohur, që të kenë mbështetjen e palëve, opsion që do të diskutohet sot dhe pritet të mbështetet me siguri nga ND dhe PASOK. 

Panos Kamenos deklaroi në hyrje se "mandati i popullit është i qartë për një qeveri të unitetit kombëtar".

Antonis Samaras nënvizoi më herët, domosdoshmërinë e mbështetjes së një qeverie “nga më shumë forca politike”. 

Kryetari i PASOK-ut, Evangjelos Venizelos, nënvizoi se, “mbështet si zgjidhje të domosdoshme një qeveri personalitetesh, për arsye se vendi gjendet në parrugëdalje”. 

Nga ana e tij, Kryetari i së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis tha se e Majta vazhdon të mbetet e qëndrueshme në pikëpamjen e saj, se ajo që i duhet vendit është një qeveri që do kundërshtonte masat. 

Në pikëpyetje është qëndrimi i së majtës radikale, para këtij propozimi, që nuk parashikon anulimin e menjëhershëm të memorandumit të masave, kurse komunistët refuzojnë asnjë lloj propozimi. 

Nëse edhe ky propozim rrëzohet, atëherë nuk ka shpresë tjetër. Në vend shtohet ankthi dhe pasiguria për krijimin e një qeverie. Dështimi do të thotë zgjedhje të reja, të cilat, sipas sondazheve, mund të sjellin një qeveri, që kundërshton me forcë uljen e mëtejshme të shpenzimeve dhe kërkon të anulojë paketën e shpëtimit, gjë që mund të rrezikojë qëndrimin e greqisë në Euro.

Shqetësim i madh ndihet edhe ne Bruksel, ku ministrat e Financave të BE diskutuan mbrëmë krizën greke. Eurogrupi i bëri presion Greqise të respektojë marrëveshjen duke e kercenuar me prerje te fondeve, ndërkohe që burime nga nga KE dhe FMN lënë të hapur mundësinë e rinegociimit të disa pjesëve të Memorandumit, për të parandaluar fundosjen e vendit në recesion të thellë. 

Por pavarësisht deklaratave të zyrtarëve të lartë se Evropa është e përgatitur për një largim të mundshëm të Greqisë, dobësimi i euros ditët e fundit për shkak të situatës në Greqi, i ka tronditur mbarë bursat evropiane.

“Ne nuk do të fitonim asgjë nga një dalje e Greqisë nga eurozona," tha mbrëmë në mbledhjen e Eurogrupit ministri belg i Financave Steven Vanakere.
"Është e pakuptimtë të flasësh për gjëra që nuk do ta zgjidhin problemin e vërtetë dhe themelor, domethënë mbështetjen e konkurrencës dhe ekonominë," tha ai duke shtuar se "ne vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë është brenda eurozonës." 

Po ashtu OBEZH mendon se “Një falimentim i Greqisë do të thotë katastrofë sociale”. “Rreziku i largimit të Greqisë nga euro sot është më i madh, deklaroi ekonomisti i Organizmit të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Pier Carlo Padoan. Ai shtoi se, porsa të kalojë parrugëdaljen politike që u krijua mbas zgjedhjeve, Greqia duhet të përparojë në zbatimin e masave për uljen e defiçitit dhe të luftojë shmangien fiskale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›