E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, zbulohen dy shtëpi ku kishin qëndruar Kola e Kupa

Policia greke ka gjetur gjurmët e gishtave të dy të arratisurve shqiptarë, në dy shtëpi të zonës së Janinës. 

Gjurmët e gishtave të Marian Kolës dhe Ilir Kupës janë gjetur në një shtëpi të braktisur në fshatin Zallogo, ku mendohet se ata kanë qëndruar deri të dielën në agim, përpara se të ndërmerrnin rrugën, ku ranë në pritën e policisë. 

Ndërkaq në një shtëpi tjetër, në Polidroso, janë gjetur vetëm gjurmët e gishtave të Ilir Kupës, në frigoriferin dhe në enët e kuzhinës së shtëpisë. Policia beson se ai ka kërkuar aty strehim e ushqim, pasi i shpëtoi rrethimit, ditën e vrasjes së Marian Kolës. 

Banorët e zonës kanë thënë se Ilir Kupa e njeh mirë zonën, pasi ka punuar atje për 3 vjet si bari. 

Ndërkaq vazhdon pa ndërprerë operacioni policor për kapjen e tij. Janë ngritur postblloqe në të gjitha rrugët që lidhin me Shqipërinë dhe sipas zyrtarëve të policisë, kapja e të kërkuarit mund të vonojë, vetëm nëse ai gjen sërish një shtëpi të braktisur, ku të strehohet përkohësisht e të mendojë lëvizjet e ardhshme.
(a.jo/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›