E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Venizelos merr mandatin për krijimin e qeverisë

ATHINE - Sot Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias i dorëzoi mandatin për krijimin e qeverisë, kryetarit të PASOK-ut, Evangelos Venizelos, i cili do t’i bëjë përpjekjet e tij në një klime shumë të pafavorshme për vendin. Venizelos e mori mandatin pas dorëzimit të tij nga kreu i SYRIZA, Aleksis Cipras. 

"Shfrytëzuam të gjitha mundësitë për formimin e qeverisë në përputhje me vendimin popullor. Ne kemi gjetur mbështetje të gjerë sociale, por pak në forcat parlamentare. Kështu që po kthej mandatin dhe shpresoj se ju do të gjeni një zgjidhje në përputhje me dëshirat e popullit", i tha Cipras Presidentit ndërsa dorëzonte mandatin.

Kryetari i PASOK do të fillojë kontaktet me kryetarin e DIMAR, Fotis Kuvelis, me kreun e Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos dhe ndoshta nesër do të vazhdojë me kryetarin e Demokracisë së Re Antonis Samaras dhe kreun e SYRIZA, Aleksis Cipras. Kryetari i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos tha sot se nuk do t'i përgjigjet ftesës së zotit Venizelos.

Venizelos e ka bërë të qartë se vendi ka nevojë për stabilitet dhe do të propozojë krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, me kusht qëndrimin e vendit në Euro. "Propozimi ynë është një qeveri kombëtare e unitetit të forcave pro-evropiane. Është detyrim i të gjitha palëve të kontribuojnë, që Greqia të mbetet në euro", deklaroi Venizelos në grupin parlamentar të socialistëve.

Por në kushtet aktuale të shpërndarjes së votave, shumica e forcave politike që mund të jenë pjesë në qeveri, kundërshtojnë ashpër zbatimin e Memorandumit të masave, nga të cilat, siç theksojnë huadhënësit, varet qëndrimi i vendit në Euro. 

Pas negociatave të kreut të PASOK, është radha e Presidentit Papulias të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit” për të formuar një qeveri që do të shmangte përsëritjen e zgjedhjeve. 

Greqia ndodhet nën presione të shumta si nga zyrtarët evropianë ashtu edhe nga vetë huadhënësit, që e kërcënojnë atë me dëbim nga eurozona. Klima rëndohet edhe nga parashikimet e mediave të rëndësishme si “Financial Times”, apo “New York Times”, sipas të cilave, Greqia është një hap larg daljes nga euroja dhe shumë pranë kaosit e falimentimit. Lidhje te tjera Merkel: Greqia e di se çfarë duhet të bëjë për të qëndruar në euro Presioni mbi Greqinë, kësti i ndihmës nuk disbursohet i plotë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›