E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi antik që po rigroposet nga ndërtimet pa kriter

—-Nga Anisa Ymeri—-

Durrës- Një duel i hapur duket ai mes Durrësit antik dhe qytetit të sotëm të mbuluar nga qiellgërvishtëset apo komplekset e pallateve në bregdet. Gjithçka që ka mbetur nën qytetin e rindërtuar dhe rrënoja të zbuluara dhe të studiuara, një pjesë e të cilave janë të rrezikuara, ishin në qendër të eventit të parë i cili çeli “Maratonën e Arkeologjisë”, maratonë e cila mbahet në kuadër të “Muaji të Evropës” u cili po shënohet në vendin tonë me një sërë aktivitetesh të rëndësishme.

Takimi i parë i Ambasadës të Italisë kushtuar arkeologjisë, pasurisë së përbashkët të njerëzimit u ndal në Durrës jo më kot, u ndal në qytetin antik të 3 mijë viteve histori, një pjesë e mirë e së cilës sot gjendet nën qytetin e sotëm, pa mundur të zbulohet. Ndërsa një pjesë tjetër e qytetit antik gjendet nën themelet e pallateve, për t’u groposur aty mbase përjetësisht tanimë.

Përpara nxënësve, drejtoresha e Misionit Arkeologjik Italian, Sara Santoro vuri theksin në rrezikun që i kanoset shtresave të ndryshme të qytetërimit aty, në antikitetin i cili ndeshet jo pak në Durrës, por që rrezikon të zhbëhet me shumë lehtësi.

Situata në pak fjalë është kjo sipas studiueses Santoro, një shpjegim ky për brezin e ri të shqiptarëve të cilët pak dinë për pasurinë e madhe në nëntokën e vendit, pasuri jo minerare këtë herë, por pasuri qytetërimi.

“Çdo vit në Durrës ndërtohen objekte të reja-shpjegon Santoro, sidomos në breg të detit dhe e gjithë kjo sigurisht që ndryshon imazhin e qytetit. Kjo është  një zgjedhje e karaktetit politik dhe ekonomik por që rrezikon shumë gjithçka është trashëgimi sepse qyteti antik është ne mes dhe poshtë qytetit të sotëm. Është një realitet shumë i vështirë për t’u menaxhuar këtu sepse çdo herë që hidhen themelet për ndonjë prej pallateve të shumtë e shumëkatësh që ndërohen, gërmohet shumë. Duke njohur mirë qytetin them me siguri se nëse gërmohet 10 metra, prek padyshim atë që ka qenë qyteti antik dhe rrënojat e tij. Ato nuk ruhen në këtë qytet në të shumtën e rasteve duke u mbuluar kështu nga pallatet, këtë herë mbase përgjithmonë”.

Sipas studiueses Santoro, në zonat arkeologjike në Itali, Evropë apo botë nuk është ndalur ndërtimi, ka edhe aty ndërtesa të reja që i shtohen qyteteve dita-ditës por Durrësi është i rrezikuar për shkak të mungesës së informimit por edhe formimit.

“Duhen një seri instrumentash për të shmangur këtë realitet, për të mos i zhbërë përfundimisht këto shtresa qytetërimesh. Ky është një  problem edhe në qytete të tjera ku jeta vijon por shumkund janë gjetur mekanizmat”- ka pohuar Santoro.

“Kjo vështirësi është tejkaluar në Evropë dhe është punuar në dy drejtime-thekson studiuesja. Së pari duke mësuar më parë nëpërmjet studimeve arkeologjike se çfarë vlerash ka zona përpara se të hidhen themelet për ndertesa të reja. Është problem teknikisht i zgjidhur. Dhe së dyti është zgjidhur nëpërmjet arkitekteve sepse kur e di që aty ku do ndërtohet ka rrënoja që na vijnë nga antikiteti jo më larg se 5 metra nën tokë. Sot i kemi të gjitha mundësitë që të ndëtojmë një pallat duke ruajtur gjithçka siç edhe ne në Itali e kemi bërë, janë rrënoja sot të vizitueshme, por ja që në Durrës kjo nuk ka ndodhur”.

E nëse për këdo vend të Evropës ky është një telash i tejkaluar, Shqipëria vijon të nxjerrë në duel antikitetin me qiellgërvishtëset, ndërtimet pa kriter që po zhbëjnë shumçka të qytetërimit tonë. Një duel të cilin deri më tani e kanë fituar ndërtimet pa kriter të cilat kanë gllabëruar trashëgiminë, e nëse kështu do të vijojë për shumë kohë, në këtë vend do të ketë përherë e më pak gjurmë të prejardhjes sonë që në rastin e arkeologjisë është një pasuri jo vetëm e një vendi por e gjithë njerëzimit i cili do të privohet nga këto vlera që ne po i zhbëjmë sepse në këtë vend pazaret fitojnë mbi gjithçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›