E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kekohet nje president

Tani, kur në disa vende europiane u shpallën rezultatet e ndonjë procesi të zëshëm dhe efektoz, veçanërisht për të ardhmen e Eurozonës, vëmendja e politikës, edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk mund të anashkalojë një ngjarje të rëndësishme brenda kuadrit të zhvillimit të reformave integruese të këtij vendi. Në këtë rrafsh këqyrjeje dhe përqendrimi, sidoqoftë është pothuajse e pamundur të hiqet ndonjë paralele midis zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe, bie fjala, atij të Francës. Është pothuajse e pamundur që të hiqet ndonjë paralele e tillë, sepse Kushtetuta jonë parashikon jo vetëm që "Shqipëria është Republikë Parlamentare", ndryshe nga forma gjysmëpresidenciale e Republikës franceze, por rrjedhimisht edhe se roli i Kryetarit të shtetit tonë, ndonëse politik, nuk është i njëjtë me atë të presidentëve në disa shtete të tjera. Gjithashtu, Presidenti te ne nuk zgjidhet nga populli, por nga Kuvendi, dhe kjo nuk do të thotë aspak që Kreu i Shtetit varet prej organit të lartë legjislativ. Sikurse konsakrohet që, në veprimtarinë e tij Presidenti ynë nuk duhet të ndikohet prej partive politike, apo anasjelltas, dhe konsiderohet shkelje e rëndë e etikës politike që partitë në pushtet apo në opozitë të ushtrojnë mbi atë presione të ndryshme.
Edhe nga ky këndvështrim kaq i përgjithshëm nuk kanë kuptim retorikat e këtyre ditëve për fushata dhe programe individuale të kandidatëve të vetofruar për President, si në rastin e Fatos Nanos, i cili pas çdo takimi të deritanishëm me shefa të partive parlamentare, me qëllim prezantimin në publik "të profilit më të përshtatshëm aktual të tij", për të mbajtur funksionin më të lartë të shtetit deklaron, se ka në "programin e vet" ecjen në një hap me integrimin. Presidenti i Republikës duhet të ushtrojë me prudencë funksionet që ia atribuon Kushtetuta, pa e cenuar përmbajtjen dhe germën e saj me deviacione të shtrembra apo me "vizione më të gjera", që ia ushqejnë dëshirat individuale. Zgjedhja e Presidentit dhe kryerja e rolit të tij bëhen me kushtetutshmëri, që do të thotë: mbi bazë të Kushtetutës dhe me rrugët e përcaktuara konform saj. Ndërkohë që është i gabuar formulimi i bërë këto kohë nga disa politikanë vendas i rolit të Kreut tonë të Shtetit si "garant i Kushtetutës". Jo, garantimi i Kushtetutës është barrë vetëm e Gjykatës Kushtetuese.
Pa folur pastaj për "seriozitetin" dhe "zyrtarizimin" e shpalljes së kandidaturës së Jozefina Topallit nga një grup apo fraksion i vogël individësh, të regjistruar si parti politike, kur dihet që zonja e preferuar e tyre përveç emrit (si edhe besimit fetar) katolik që e bashkon me 'ta, ndërkohë është eksponente e Partisë Demokratike dhe bashkëpunëtore e ngushtë e liderit të saj. Pa folur pastaj, gjithashtu, edhe për ofrimin e kandidaturës së Neritan Cekës nga partia e tij tashmë pothuajse inekzistente, por që i hapi atij mundësinë për t'u renditur në shpurën e këshilltarit të Kryeministrit aktual, njëherazi kreu i Partisë kryesore të spektrit të djathtë. Pra, nuk kanë kuptim vetprezantimet apo vetshfaqjet e disa personave, të cilët ndonëse janë të njohur për opinion publik, realisht ekziston bindja që ata nuk gëzojnë mbështetje të gjerë dhe besim të plotë në masën e qytetarëve të këtij vendi.
Sidoqoftë, fillimisht duhet thënë që zyrtarizimi i tyre deri tani mbetet fiktiv dhe është i pavlerë, përderisa sipas nenit 87 të Kushtetutës, "Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh" dhe se një "deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat". Dhe, në të gjithë këtë proces, e rëndësishme është të kihet parasysh, gjithashtu, përmbajtja e nenit 89 të Kushtetutës, se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar i ndonjë partie politike dhe as të kryejë veprimtari private. Më tej, sipas nenit 94 të Ligjit Themelor, Presidenti nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera, përveç atyre që i njihen shprehimisht nga Kushtetuta dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me 'të. Këto kufizime edhe me karakter politik sigurojnë përjetësimin e asaj figure që konsakron neni 86/1 i Kushtetutës: "Presidenti është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit".
Megjithatë, ndonëse prej disa muajsh flitet dendur brenda vendit, edhe jashtë tij, për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, përpjekjet së paku të deritashme duket që nuk konvergojnë në një kërkesë moderne në përputhje me kohën e reformave të gjithanshme, kur Shqipërisë pritet t'i akordohet statusi zyrtar i shtetit kandidat për në Bashkimin Europian. Por, kjo sfilatë e pandriçuar, madje edhe e përsëritur figurash të vjetra (rasti i F. Nanos dhe N. Cekës) nuk hedh dhe nuk mund të hedhë hije mbi negociatat që kanë nisur të zhvillohen fragmentarisht dhe pjesërisht, qofshin ato të kërkuara nga kandidati i vetofruar Fatos Nano. Letra publike e kreut të opozitës drejtuar shefave të të gjitha forcave politike, veçanërisht të atyre të përfaqësuara në Parlament, për t'i ftuar që të ulen në një tryezë të përbashkët adresohet në drejtimin e duhur.
Mirëpo, për hir të së vërtetës, këtij drejtimi fatkeqësisht duket që po i vihen barriera. E një trajte të tillë duket ajo çka ka lënë të nënkuptohet lideri i mazhorancës kuvendore, se tryeza mund të mbahet vetëm kur Parlamenti të jetë futur në periudhën e zgjedhjes së Presidentit. Pas takimit me Komisionerin e Bashkimit Europian, gjatë vizitës së posaçme të këtij të fundit në Tiranë, Sali Berisha vërtet që u mundua të artikulojë, se procesi i zgjedhjes së Presidentit do t'i nënshtrohet negociatave, por nuk sqaroi as edhe me dy fjalë predispozitën e tij rreth kandidaturës/ave më të përshtatshme, sipas frymës së Kushtetutës dhe rrethanave të reja post tranzicionale, në prag të të cilave gjendet Shqipëria. Ndryshe, çfarë do me thënë mbajtja e tryezës së përbashkët në periudhën e zgjedhjes së Presidentit, pra gjatë apo pas 10-ditëshit të fundit të këtij muaji? Kushtetuta në nenin 88 (paragrafi 2/1) të saj e përcakton fillimin e kësaj periudhe "jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës". Por, askund nuk thuhet që periudha përgatitore për këtë qëllim s'mund të datojë edhe më parë. Kështu pra, Berisha përpiqet të luajë striktin e germës së Kushtetutës, pa e zënë meraku aspak për frymën e saj dhe pa e vrarë fare mendjen për interpretimin e dispozitave, duke e vënë procesin e zgjedhjes së Presidentit në qerthullin e afateve 7-ditore të secilit votim, deri te ai i katërt apo ai i pestë.
Në këto kushte, kandidati i vetofruar Fatos Nano, pas takimeve të ethshme që ka zhvilluar deri më tani dhe prej të cilave është shfaqur jo me ndonjë entuziazëm të natyrshëm, pas një interviste të parë që ka dhënë në TV ku u performua si një puthador i Sali Berishës dhe i tillë sidomos pas një takimi të stisur "rastësor" me 'të në hollin e një kinemaje, pas bisedave edhe me diplomatë influentë në Tiranë, tani pret me zemër të dridhur takimin me liderin e mazhorancës, që ka në dorë numrin më të madh të mandateve. Ky takim, me sa kuptohet përcakton edhe përmbushjen e dëshirës së flaktë dhe të kahershme të këtij njeriu, i cili ka plot 10 vjet që e dëshiron atë post. Atë post që mendon se mund t'i dhurojë më me tepri kënaqësitë vetjake dhe jo t'i ngarkojë më me përgjegjësi detyrimet qytetare. I lodhur apo i druajtur prej punëve të ngjeshura kryeministrore, qysh më 2002-shin syrin ia vuri Presidencës, por vrullin ia prenë përfaqësuesit e OSBE-së. I ushqyer me këtë lakmi dhe jo për të forcuar shtetin, ai dorëzoi pushtetin e shumicës dhe dukej si deputet në seancat plenare jo më shpesh se një herë në 6 muaj. Derisa, më 13 maj të 2007-ës doli përkrah Sali Berishës në një konferencë shtypi, për të ndikuar që zgjedhjet e organeve për pushtetin vendor t'i fitonte jo forca politike që e kishte zgjedhur për ta përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, por pikërisht kundërshtarët e saj.
Ndërsa tani, më 2012-ën, koha nuk i pret më për ta festuar hyrjen në moshën e tretë më shumë si ai bandilli me dolli këmbëkryq mbi zemrat e lënduara të një populli të tërë, se sa si ai fisniku që karrierën personale dhe respektin për 'të e ndjen të lidhur ngushtë me bashkimin e këtij populli drejt një të ardhmeje më të mirë, më të civilizuar, më të kulturuar. A do t'i përgjigjet Sali Berisha në takimin e pritshëm? Vështirë të ndodhë kjo, edhe sepse lideri i mazhorancës u trembet tekave të atij "lideri historik të Partisë Socialiste", i cili kur të hipë në krye të shtetit mund t'ia tregojë vendin ku e ka. Por, në ujërat me bazë gëlqerore ku noton politika shqiptare e vjetruar, një salvaxhente mund ta pengojë përthithjen, qoftë edhe të përkohshme të saj. Dhe vetëm ky pra, rrethi i ngushtë i një kamerdareje gome mund të përbëjë shkëlqimin dhe rënien e një Nanoje - President.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›