Greqia, Europa e ndarë në prag të Samitit të Brukselit
Italia mbështet plotësisht idenë që Bashkimi Europian t’i japë ndihmë Greqisë për të dalë nga kriza e saj financiare. Kështu deklaroi në një intervistë për “Reuters” Kryeministri italian, Silvio Berluskoni. “Jemi plotësisht dakord”, tha ia, duke ju përgjigjur pyetjes se Italia është krejtësisht në favor të një plani të BE-së për shpëtimin e Greqisë. Kryeministri italian shtoi më tej se është ende shumë herët për të thënë nëse kriza e borxhit të Athinës do të jetë në qendër të Samitit të BE-së, që do të zhvillohet javën tjetër në Bruksel. Ndërkaq, sot Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një intervistë radiofonike theksoi se Greqia nuk ka nevojë për asnjë mbështetje financiare dhe se liderët e BE-së nuk duhet ta vendosin këtë çështje në qendër të takimit të tyre. Merkel ka shprehur shqetësimin e saj se “pritshmërinë false” për ndihmën greke mund të provokojë turbulenca në tregjet financiare, duke shtuar se Athina duhet ta zgjidhë e vetme problemin e borxhit publik për të mirën e monedhës së përbashkët europiane. Kancelarja gjermane ka paralajmëruar që të mos vazhdojë diskutimi për masa të tjera të BE-së për Greqinë. “Ky vend nuk kërcënohet nga falimentimi”, tha Merkel, në intervistën e javës me radion kombëtare gjermane, “Deutschlandfunk”. “Greqia ka një deficit shumë të lartë, rreth 13%, këtë vit. Dhe këtu shihet se, po ta thuash me një gjuhë të përgjithshme, ekziston rreziku që të shtetet të falimentojnë. Dhe prandaj ka qenë e rëndësishme dhe e drejtë që Greqia ka hartuar një program, i cili përmban reduktime të forta të deficitit. Dhe në zbatimin politik të kësaj ne e mbështesim Greqinë”, tha Merkeli, e cila nënvizoi se Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, e kishte siguruar disa herë atë se vendi i tij nuk ka kërkesa financiare ndaj BE-së. Ndërkaq, presidenti i Komisionit Europian, José Manuel Barroso, ka ftuar shtetet anëtare të Bashkimit Europian të gjejnë një marrëveshje mbi një paketë ndihmash në prag të samitit të 25-26 majit, duke qenë se qeveria greke ka thënë se mund të kërkojë ndihmën e FMN-së. Barroso saktësoi se 16 vendet e Eurozonës duhet të koordinohen për ta ndihmuar Greqinë të rifinancojë borxhin e saj, që ka arritur në shifra të paimagjinueshme.
#