Skafistë të huaj për trafikun e drogës
Moratoriumi i mjeteve lundruese në Shqipëri e ka bërë të vështirë “profesionin” e skafistit, por kjo nuk i ka penguar rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës të vijojnë aktivitetin e tyre. Moratoriumi shqiptar ka ndërruar etninë e skafistëve dhe “flamurin” e skafeve, ka rritur koston e transportit të drogës, por nuk e ka mbyllur linjën e trafikut.
Dy ditë më parë në Sarandë u bllokuan 1,1 tonë marijuanë nga ajo e Lazaratit, që po transportohej në bregdet, pranë Kakomesë, ku do të vinin e ta merrnin skafistë të huaj.
Shefi i komisariatit të policisë kufitare, Ilir Gjoçi, thotë se rruga detare mbetet më e preferuar për trafikimin e lëndëve narkotike. Kjo, sipas tij, sepse me det mundësohet kalimi i menjëhershëm i sasive të mëdha, por edhe shansi për ta kaluar është disa herë më i madh, pasi kalon më pak patrulla. Gjoçi vlerëson se hapësirat ujore i ka ngushtuar mjaft lënia në fuqi e moratoriumit të skafeve. “Kjo është arsyeja që rrjeti i trafikut të kohëve të fundit ka përdorur skafe dhe skafistë joshqiptarë, që vijnë nga Greqia apo Italia, ashtu si edhe në rastin e fundit, të 20 marsit”. Gjithsesi, ai thotë se me nisjen nga funksionimi i qendrës satelitore në Durrës, edhe mundësia e realizimit të trafikimit me këto skafe, është zvogëluar në maksimum, çka e kanë treguar dy rastet e fundit të bllokimit të narkotrafikut.
Rasti i fundit i ka gjetur të përgatitura forcat policore pjesëmarrëse në operacion. Shefat e dy komisariateve policore në Sarandë, Besim Palamani e Ilir Gjoçi, tregojnë se duke qenë se kishin informacion për trafikimin e kësaj sasie droge, edhe struktura “Delta Force”, me qendër në Vlorë, ishte afruar prej ditësh në Porto Palermo, bashkë me tre grupe të tjera speciale. Drejtuesit e policisë besojnë se në rastin e fundit është përdorur nga trafikantët i njëjti mekanizëm si një javë më parë, kur u kapën rreth 700 kg marijuanë. Njësoj u bë pritja e mjetit për të ardhur nga Greqia dhe për të marrë lëndën narkotike nga brigjet tona. Duke folur për destinacionin e kësaj ngarkese, pohohet se mjetet lundruese dhe transportuese të drogave zakonisht vijnë nga ishulli përballë, duke qenë shumë e afërt distanca me Korfuzin. Por jo domosdoshmërisht thuhet se kjo sasi e konsiderueshme të ketë qenë për Korfuzin, pasi skafe vijnë edhe nga Patra apo nga Athina.
është kjo arsyeja e bashkëpunimit që vlerësohet mjaft i mirë mes policive ndërkufitare të Sarandës e Korfuzit, me rojën bregdetare të ishullit përballë. Që andej ka ardhur konfirmimi se kanë dalë në det me mjetet e tyre, për të bërë të mundur bllokimin e skafit në se do të kalonte nga hapësira detare që ata ruajnë. Por, nisur edhe nga sasia e lëndës narkotike që ai skaf do të transportonte, mendohet se ka qenë shumë i fuqishëm, me disa motorë dhe duke lëvizur me shpejtësi shumë të madhe. Në Sarandë besojnë se të tëra hollësitë e organizimit të rrjetit do të dalin gjatë hetimeve, të cilat vazhdojnë dhe pritet të zgjasin me muaj, për të zbuluar grupin kriminal.
Gjoçi thotë se “për kanabisin, Shqipëria është vend i origjinës dhe kjo na përgjegjëson edhe në rrafshin ndërkombëtar. Ndërsa për drogat e forta si heroina etj., ne jemi vend transit dhe nuk bëhet fjalë për përgjegjësi të drejtpërdrejtë”.
#