E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia: Kemi nevojë për kredinë BE-FMN

Kriza Tani, shpresa e vetme e Athinës, është paketa e ndihmës prej 30 miliardë eurosh

Greqia i ka kërkuar formalisht Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar ndihmë financiare. Bëhet fjalë për paketën disa miliarda dollarësh që pritet të përmirësojë situatën e rëndë financiare në vendin që po përjeton kohët më të vështira në historinë e pasluftës,
Në fakt, të gjithë kanë shpresuar se Greqia do t’ia dilte e vetme përmes masave të saj për reduktimin e shpenzimeve që të përballonte krizën, pa kërkuar ndihmën e paketës financiare, por mesa duket, një gjë e tillë ka qenë e pamundur dhe problemet e Greqisë kanë vazhduar. Mbi të gjitha është goditur rëndë besimi i investitorëve që supozohej se do të ndihmonin Greqinë. Mosbesimi i tyre ka bërë që përqindja e huasë të rritej në një shifër rekord prej 10%. Në këto kushte, për Greqinë, ka qenë e pamundur që të operonte me këtë plan dhe Athina duket se ka vendosur që të kërkojë ndihmën e Bashkimit Europian dhe FMN-së për të dalë nga situata. Këto dy institucione, pak javë më parë, vendosën për një paketë ndihme financiare për Greqinë, por vetëm në rastin se kjo paketë do të ishte shpresa e fundit për vendin. Bëhet fjalë për një paketë miliarda dollarëshe, ndoshta 30 miliardë dollarë. Komisioni Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar thonë se janë optimistë që detajet e hollësishme të kredisë do të përpunohen dhe bëhen të qarta shumë shpejt. Megjithatë, në Gjermani, vend që ka qenë tërësisht kundër financimit të borxhit të Greqisë, Anxhela Merkel bëri të ditur se kushtet e kredisë do të jenë shumë strikte për Greqinë dhe gjithçka do të monitorohet hap pas hapi. Ministri gjerman i Financave, Asmunsen, tha se vendi i tij po bënte pjesën që i takonte për sa i përket së tërës. “Pala gjermane është gati që të veprojë për sa i përket pjesës që i takon në paketën e ndihmës financiare për Greqinë. Unë nuk mund të them aktualisht diçka konkrete në lidhje me këtë, por përpilimi i termave të kësaj huaje do të dojë të paktën dy javë”.

Kryeministri i Greqisë, Papandreu, deklaroi se tregjet financiare nuk iu përgjigjën pozitivisht masave shtrënguese të Greqisë, sikundër ai dhe qeveria e tij kishin shpresuar. Besimi tek ekonomia e Greqisë ka rënë në mënyrë të vazhdueshme dhe përqindja e huasë është shtuar në mënyrë të ndjeshme, duke arritur dje shifrën rekord prej 10%. Kësisoj për Greqinë është shndërruar në një nevojë të domosdoshme aksesi në paketën financiare të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Kryeministri i ka kërkuar ministrit të tij të Financave që të bëjë edhe kërkesën formale për lëvrimin e paketës së kredisë disa miliardëshe. Greqia i ka dërguar një letër Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane dhe Eurogrup, që përfaqëson zona të tjera të Eurozonës, që formalisht të aktivizojë mbështetjen financiare. Por për të shkuar deri në këtë moment ka ende shumë paqartësi, kryesisht procedurale, si dhe të natyrës ligjore që duhet të përfshihen në marrëveshje. Ndërkaq opozita gjermane ka kërkuar një debat të plotë për paketën financiare që mund të vonojë kësisoj kontributin gjerman. Kjo do të thotë që ndoshta Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të nxitet që të financojë transhin e parë të kredisë. Hapi tjetër i menjëhershëm do të jetë ai që ministrat e Eurozonës të bien dakord në lidhje me përqindjen e interesave për kreditë e Greqisë, të cilat duhet të merren me një përqindje që të mos i kalojë të 8%. Në fakt, një nga vështirësitë e këtij plani ka të bëjë edhe me faktin se shumë vende duhet që të marrin dhe aprovimin e parlamenteve të tyre në lidhje me lëvrimin e shumës që ka kredia. Edhe kjo është një procedurë që do të marrë disa javë kohë.

Paketa financiare e ndihmës së Greqisë është krijuar për të ndihmuar vendin që të dalë nga kriza. Ajo ka aktualisht një borxh prej 300 miliardë eurosh dhe vetëm për këtë vit do t’i duheshin për të shlyer borxhin 54 miliardë dollarë. Në mesin e prillit ministrat e Financave të vendeve të Eurozonës ranë dakord që t’i japin Greqisë një kredi prej 300 miliardë eurosh, në rastin se ajo nuk do t’ia dilte e vetme që të përbalonte situatën.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›