Berisha-Rama, përplasin brirët në publik, batuta pa takim duarsh

Berisha dhe Rama përplasin “brirët” në publik. Në një takim në prezencën e “arbitrit” italian, Kryeministri dhe lideri i opozitës janë përballur në një shkëmbim batutash që, edhe pse nuk kanë qenë shumë të ashpra, nuk kanë dhënë në asnjë moment mesazhin e një dialogu të shpejtë. Shenjë e qartë është largimi pa i dhënë dorën njëri-tjetrit, duke i kthyer kurrizin në mënyrë demonstrative. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, dhe lideri i opozitës, Edi Rama, janë përballur publikisht për të parën herë pas më shumë se dy muajsh, kur ndodheshin në takimin e prag Shën Valentinit së bashku me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Dy protagonistët e politikës shqiptare, siç ka ndodhur kohët e fundit, nuk i kanë shtrënguar duart më njëri-tjetrit, por kanë sulmuar njëri-tjetrin me batuta të hidhura, duke pasur parasysh se ishin në transmetim direkt në televizione. Gjithçka ka ndodhur në forumin për median, e organizuar nga ambasada italiane dhe e përditshmja e rajonit së Puglias “La Gazzetta Del Mezzogiorno”, ku si moderator ka qenë drejtori i kësaj gazete, Carlo Bolino, dhe si prezantues, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba D’Elia.
RamaI pari në panel është paraqitur kreu i opozitës, i cili ishte i pari që ka vënë “dorën në plagë”, duke provokuar padyshim edhe reagimin e kundërshtarit të tij politik. Lideri socialist ka mëshuar citimin e raportit të fundit të raportit të organizatës ndërkombëtare “FRIDE”, duke thënë se “Shqipëria sot renditet në vendin e 88, duke pësuar rënie drastike krahasuar me vitin 2003, kur renditej e 34-ta dhe konsiderohej asokohe, vendi me performancën më të mirë në këtë drejtim në Ballkanin Perëndimor. Prej vitit 2006, Shqipëria ka dalë në krye nga fundi, në këtë rajon duke kapur treguesit më të këqij në këtë drejtim, lidhur me lirinë e medias”. Sipas liderit të opozitës, “në raport sillen si raste tipike të presionit qeveritar mbi median e pavarur, rastet e vendosjes së gjobave, tashmë famëkëqija ngaj ‘Top-Media’-s, ndaj ‘News 24’, apo edhe mbyllja e dhunshme e gazetës ‘Tema’, me të gjitha konsekuencat e më pastajme lidhur drejtpërdrejt me botuesin dhe kryeredaktorin e saj”. Kreu i PS-së ka kërkuar të largohet, sepse i duhej të shkonte në Elbasan, në miting, por më pas, me kërkesën e organizatorëve, ka qëndruar 10 minuta të tjera në panel.
BerishaKryeministri Berisha, duke marrë fjalën, ka deklaruar se qeveria që ai drejton do të mbrojë pavarësinë dhe lirinë e medias. Kreu i qeverisë ka përsëritur premtimin se asnjë nëpunës i administratës nuk do të padisë gazetarët, ndërkohë që ka propozuar që mediat t’i drejtohen sa më shumë gazetarisë “online”. Ndërkaq, duke replikuar me liderin e opozitës, Berisha përdori një ironi duke thënë se “unë erdha këtu jo për të kërcyer tango, po për të respektuar median”. Në lidhje me raportin e cituar nga Rama, Berisha theksoi se ai ishte hartuar nga deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, i cili, sipas Kryeministrit, “ka akuzuar dhe kryebashkiakun e Tiranës për lejet e ndërtimit”. Por, më pas Berisha ka deklaruar se është i gatshëm të zhvillojë kurdo dhe për çfarëdo teme debat televiziv “live” me rivalin e tij. Duke replikuar në mënyrë të menjëhershme, lideri i opozitës, Edi Rama, tha se “doja të largohesha për të shkuar në miting, sepse nëse vonohem, nuk mund t’u thoja njerëzve: më falni por u vonova pak se isha në takim me Berishën! Nuk është vendi këtu për të folur për tangon, pasi dikush e kërcen, dikush jo, por për të ndarë secili këndvështrimin e tij”.
#