E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet pasuria e fajdeve në Elbasan

Disa makineri të firmës greke “Siontis”, me vlerë 100 mijë euro, pritet të sekuestrohen nga Gjykata e Tiranës Kryeadministratori i fajdeve, Malaj: Do të sjellim nga Greqia 15 milionë dollarë

Pronat dhe pasuritë e firmave piramidale që lulëzuan në Shqipërinë postkomuniste vazhdojnë të prodhojnë ende shuma të majme parash, duke u dhënë shpresë kreditorëve që të marrin disa për qind nga depozitat te “Gjallica”, “VEFA” dhe “Cenaj”.

Grupi mbikëqyrës i firmave rentiere i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës sekuestrimin e disa makinerive në qytetin e Elbasanit në pronësi të firmës greke “Siontis”, e cila është debitore në shumën prej 3.5 milionë USD në firmën “Gjallica”. “Siontis”, kundrejt një akt marrëveshjeje, ka marrë tre milion e gjysmë dollarë nga shoqëria “Gjallica”, me qëllim ndërtimin e qendrës së biznesit në Vlorë, por që nuk arriti ta nisë për shkak të trazirave të vitit 1997. Ndërkohë, pasuria, e cila pritet të sekuestrohet dhe t’i kalojë në administrim grupit mbikëqyrës së firmave piramidale, është rreth 100 mijë euro, shumë që do t’i zbritet firmës “Siontis” nga borxhi që i ka shtetit shqiptar. Makineritë janë “ngrirë” në një firmë në qytetin e Elbasanit, ndërsa paraprakisht kanë ardhur edhe ofertat e para për blerjen e tyre. Firma shqiptare, e cila ka humbur gjyqin me “Siontis”, është e gatshme t’ia blejë shtetit shqiptar. Pas konstatimit të kësaj pasurie, administratorët e firmave piramidale filluan punën për sekuestrimin e tyre, ndërsa aktualisht i kanë kërkuar Gjykatës së Tiranës ekzekutimin e vendimit të Përmbarimit, i cili kishte shpallur debitore firmën “Siontis, që drejtohet nga shtetasi Kristo Siontis. Ky i fundit është biznesmen dhe ka qenë deputet në Parlamentin e Greqisë dhe aktualisht është konsull nderi i Italisë në Janinë.

Sipas grupit mbikëqyrës të firmave piramidale, firma “Siontis”, kundrejt një akt marrëveshjeje dhe dokumenteve që zotëron, ka marrë tre milionë e gjysmë USD nga shoqëria “Gjallica”, me qëllim ndërtimin e qendrës së biznesit në Vlorë. Firma ka pretendime se ka sjellë disa pajisje dhe ka bërë disa punime paraprake për përgatitjen e sheshit të ndërtimit, të cilat nuk janë të evidentuara. Firma greke, që është shpallur debitore pretendon se vendimi i administratorit, që e ka shpallur debitor, si dhe vendimi i gjykatës shqiptare, janë të paligjshëm, pasi sipas saj, ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nga koha e kësaj kontrate.

Në lidhje me sjelljen e parave të fajdeve që ndodhen në bankat greke, burime nga grupi mbikëqyrës i firmave piramidale thanë se ka filluar puna për riatdhesimin e tyre në Shqipëri. Kryeadministratori i fajdeve, Bajram Malaj, tha dje për gazetën “Shqip” se është në përfundim të procedurave për lidhjen e marrëveshjes me një studio ligjore greke. “Jemi në përfundim të procedurave për lidhjen e marrëveshjes me një studio ligjore greke për ngritjen e një padie gjyqësore për riatdhesimin e parave të disa debitorëve grekë ndaj shoqërive huamarrëse në administrim, ‘Gjallica’, ‘VEFA’ dhe ‘Cenaj’”, deklaroi Malaj, duke shtuar se bëhet fjalë për një pretendim fillestar në shumën prej rreth 15 milionë dollarësh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›