E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia: Regjistrimi u shty nga presioni nacionalist

TIRANE- Pas shumë ditësh diskutimesh e debatesh në Shqipëri për regjistrimin e popullsisë së vendit mbi baza etnike dhe fetare, vjen edhe reagimi i parë zyrtar i Greqisë fqinje, e prekur drejtpërsëdrejti. Në fakt, reagimi i djeshëm i zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë Grigoris Delavekouras, është më shumë një lloj presioni ndaj autoriteteve shqiptare. “Pyetjet specifike në këtë regjistrim, përmbajnë një obligim të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian” u kujtoi dje zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, autoriteteve shqiptare.
Zoti Delavekouras, u pyet gjatë një konference pasditen e djeshme në ambientet e ministrisë së punëve të Jashtme, më së shumti nga gazetarë ndërkombëtarë të vendosur në Athinë, dhe që pyetjet kryesore kishin të bënin me situatën në Lindjen e Mesme, dhe veçanërisht me Libinë. Por, një nga pyetjet u bë pikërisht për çështjen e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, duke iu referuar këtij regjistrimi në vendin tonë, dhe duke ndjekur lajmet më të fundit se ky regjistrim është shtyrë deri në vjeshtë në vend që të bëhej në datën e caktuar në prill tha se ky veprim ka të bëjë me presionin e qarqeve nacionaliste.

“Ky zhvillim, i kombinuar me një reagim intesiv nga disa qarqe nacionaliste dhe, për fat të keq, edhe nga disa funksionarë shtetërorë kundër përfshirjes së pyetjeve fakultative sa i përket origjinës kombëtare, njohjen e fesë dhe gjuhën amtare të të anketuarve në përgjigjen e pyetjeve, krijon dyshime mbi arsyet e vërteta për shtyrjen e këtij regjistrimi”, tha dje zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme Grigoris Delavekouras.

Regjistrimi
Debati për regjistrimin, u hap një muaj më parë, kur konsulli grek në Korçë u bëri thirrje qytetarëve që në regjistrimin e muajit prill, të shënonin në formular kombësinë e tyre greke. Deklarata e tij shkaktoi një reaksion të ashpër në Shqipëri, jo vetëm nga historianët dhe shoqëria civile, por edhe zyrtarët shtetërorë. Pas kësaj, konsulli grek u tërhoq përfundimisht nga Shqipëria dhe është kthyer në Athinë. Ministria e Jashtme Shqiptare i kërkoi sqarime ambasadorit të Republikës së Greqisë në Tiranë i cili deklaroi se këto ishin qëndrime personale të konsullit, dhe jo qëndrimi zyrtar i qeverisë greke.
Por menjëherë pas kësaj, një hetim dhe nxjerrje të dhënash, filloi pothuajse në të gjithë jugun e Shqipërisë.
Sipas zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, të paktën rreth 3800 qytetarë shqiptarë, më së shumti në jug, kanë ndryshuar kombësinë e tyre nga shqiptare në greke, në katër javët e fundit.
Gjatë inspektimeve në gjykata në jug të vendit, sidomos në Korçë, Spahiu u kërkoi gjyqtarëve që të shohin me kujdes të gjitha rastet kur kërkohet ndërrimi i kombësisë, duke nxjerrë edhe certifikata të të njëjtës familje që gjysma deklaronte se kishte kombësinë greke dhe gjysma shqiptare. U kërkua anulimi i gjithë këtyre vendimeve.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›