E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU: Greqia të mos ndërhyjë në regjistrimin e popullsisë

TIRANE- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaron se jane “te papranueshme” deklaratat e zëdhënësit të Ministrisë të Jashtëm të Greqisë, z. Jorgo Dhelavekuras, mbi regjistrimin e popullsisë në Shqipëri.

Sipas PDIU “Regjistrimi i popullësisë është një çështje e brendshme e shtetit shqiptar dhe ndërhyrjet e një shteti të huaj për mënyrën dhe kohën se kur Shqipëria do të zhvillojë nje census janë të papranueshme.”

Reagimi vjen një dite pas deklaratës së zëdhenesit të Ministrisë së Jashtme greke Grigoris Delavekouras,i cili tha se shtyrja deri në vjeshtë e procesit te regjistrimit ka të bëjë me presionin e qarqeve nacionaliste.

Sipas PDIU-se vetë Greqia, edhe ky shtet që kanë minoritete apo grupime të mëdha etnike dhe gjuhësore, është një nga ato shtete në BE e cila ne pyetësorin per regjistrimin e popullsise nuk përfshin pyetjet per përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore.

PDIU sqaron se në BE, nga 27 vende anëtare, vetëm përafërsisht 10 kryejnë regjistrimin mbi këto baza dhe se të gjitha këto vende kanë përcaktuar vetë se çfarë pyetësori do të kenë dhe asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë.

“Kështu, edhe shteti grek nuk ka të drejtë të ndërhyjë në një çështje që i përket sovranitetit ligjor të shtetit shqiptar. Shkelja e këtij sovraniteti, sidomos nga një shtet me shumë minoritete të panjohura, që nuk ka kryer kurrë regjistrim mbi baza etnike, përbën një përqasje tragjikokomike të marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri-Greqi, që dëmton rëndë imazhin e shtetit grek në sytë e gjithë shqiptarëve, duke dëmtuar si pasojë edhe marrëdhëniet e mira që duhet të ekzistojnë mes dy popujve dhe dy shteteve.”- nënvizon Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet në deklaratën e saj.

“Kur deklarata të tilla fyese ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, vijnë paralelisht me vendimin për rikthimin e konsullit grek në Korçë, i cili si pa të keq përmendte terma irredentiste të papranueshme për çdo vend, tregon se kemi të bëjmë me një skenar të parapërgatitur, jo të një konsulli me xhup e paraqitje të pistë, por të një grupimi individësh që kanë influencë të madhe në politikbërjen e vendit fqinj, e që mesa duket nxinisn “nisjen e betejës për Vorio Epirin, pas regjistrimit të popullsisë”, siç kishte deklaruar konsulli Ikonomu.”- thuhet më tej në deklaratë.

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila u formua vetëm pak ditë më parë, si shkrirje e PDI dhe PDU, propozon nxjerrjen e rezultateve mbi kombësinë bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, që është cilësuar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian si një regjistër model. “Kjo është mënyra më e mirë që kërkesa e minoritetit për të pasur një numër të plotë dhe real të anëtarëve të tij të realizohet.”- thotë PDIU duke shtuar se vetë ajo si parti është e gatshme të votojë apo qoftë edhe të iniciojë çdo ligj në Kuvend për respektimin e të drejtave të minoritetit.
“Kjo do të ishte në përputhje me atë që vendet perëndimore bëjnë dhe do të shmangte një regjistrimi derë më derë, që do të ishte nën kërcënimin e pensioneve që shumë shqiptarë marrin nga Greqia e që nëse deklarojnë veten e tyre ashtu siç janë realisht, pra shqiptar, do të mund ta humbasin. Shmang kërcënimet për heqien e lejeve të qëndrimit të mijra shqiptarëve në Greqi, nëse nuk kryejnë deklaratë të rreme dhe shmang pagesat në dorë që lobet greke po përgatisin në mbarë vendin.”- thekson PDIU.

Në fund të deklaratës Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje shtetit shqiptar, “që të mos kryejë një regjistrim mbi baza etnike dhe fetare që mbjell ndjenjën e ndarjeve të mëdha brenda kombit shqiptar dhe të reagoj ashtu siç i takon një shteti sovran dhe të pavarur mbi përfaqësues diplomatik të shtetit fqinj që bëjnë deklarata irredentiste si konsulli i Korçës”. Githashtu PDIU i bën thirrje ministrit të Inovacionit të heq nga pyetësorët pyetje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të përparuar, aq më pak në një vend unitar si Shqipëria, që qarqe të huaja tentojnë ta paraqesin si multietnike. Shqipëria nuk është multietnike dhe nuk do të jetë kurrë e tillë.
(s.g/BalkanWeb) Lidhje te tjera Greqia: Regjistrimi u shty nga presioni nacionalist

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›