E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet me zgjedhje, ceni i maturës 2010

Publikohen pas 11 ditësh vonesë notat e 3 mijë maturantëve, rezultatet dërgohen me postë

U bënë publike dje, pas 11 ditësh, rezultatet e 3 mijë maturantëve që nuk gjenin emrat në listat e notave të provimeve me zgjedhje. Kjo është konfirmuar nga drejtoritë e shkollave të mesme dhe nga vetë maturantët e përfshirë në këtë problem. Listat e dyta të rezultateve të testeve me zgjedhje nuk u publikuan në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, siç ka ndodhur zakonisht me zbardhjen e notave të provimeve të tjera. Kësaj radhe, emrat, atësitë, mbiemrat dhe notat përkatëse të maturantëve, të munguar në listat e para, janë postuar në drejtoritë e shkollave të mesme. Fill pas kësaj janë njoftuar nxënësit, të cilët pasi kanë dalluar kodin e tyre, kanë mësuar edhe notat me të cilat ishin vlerësuar në lëndët që ata kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre. Ndryshe nga përvojat e provimeve të tjera të maturës shtetërore, procesi i korrigjimit dhe i afishimit të notave të testeve me zgjedhje nuk ka qenë aq i suksesshëm. Edhe pse kaluan plot 11 ditë që nga publikimi i këtij problemi që shkaktoi ankth dhe shqetësim te maturantët, instancat përgjegjëse nuk dhanë asnjë deklaratë publike apo reagim në lidhje me problemin dhe mënyrën e zgjidhjes, penalizimet për përgjegjësit dhe detaje të tjera teknike. Sipas maturantëve, kjo çështje ka mbetur në heshtje, pasi prek drejtpërdrejt seriozitetin e procesit të maturës shtetërore 2010.

E megjithatë, siç thonë edhe vetë nxënësit që për 11 ditë me radhë kanë qenë nën presionin se si do të merrte zgjidhje problemi i tyre, e rëndësishme është që më në fund ata mësuan notën me të cilën ishin vlerësuar në provimet me zgjedhje. Tashmë edhe këta nxënës kanë mundësi të bëjnë përllogaritjet e pikëve të grumbulluara në total, për të ditur saktësisht se cilëve fakultete mund t’u drejtohen pa kurrfarë hezitimi. Në këtë pikë ata mund të konsiderohen si persona me fat, por nga ana tjetër këta maturantë kanë më pak kohë në dispozicion sesa kandidatët e tjerë për studentë për plotësimin dhe dorëzimin e formularit A2. Bazuar në rregulloren e maturës shtetërore, afati kohor i përcaktuar për plotësimin dhe dorëzimin e tij në Drejtorinë Arsimore është plot 10 ditë. Shkollat e mesme janë pajisur me formularët e preferencave më datë 22 korrik, ndërkohë që drejtoritë e tyre kanë hapur dyert për çdo maturant që donte të konsultohej për mënyrën sesi do të përzgjidhte 10 degët e preferuara.

“Pistat” e dyshimit janë nga më të shumtat. Ka zëra që pohojnë se ky mund të ketë qenë një problem teknik i rrjetit të të dhënave të çdo maturanti, pra emrat të mos jenë regjistruar, si pasojë e një gabimi njerëzor. Por ka edhe nga ata që thonë se ky ngërç mund të jetë pasojë e moskorrigjimit të këtyre tezave. E megjithatë, deri tani asgjë nuk është thënë zyrtarisht nga autoritetet arsimore, të lidhur me procesin e provimeve të maturës. Ajo që bëhet e ditur nga maturantët që nuk u njohën me notat e provimeve me zgjedhje në datë 16 korrik, sipas justifikimeve që u është dhënë në shkolla, lidhet me procesin e korrigjimit me vonesë të provimeve të tyre. Sipas të dhënave për shpalljen e këtyre rezultateve është ngritur një komision i posaçëm në Ministrinë e Arsimit, i cili jo vetëm monitoroi situatën, por edhe e zgjidhi atë. Sakaq, sipas ekspertëve të procesit dhe menaxhimit të provimeve, “ceni” i maturës shtetërore do të ketë edhe penalizime për përgjegjësit që e shkaktuan atë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›