Kriza në Gjykatën Kushtetuese shkon deri në nëntor

Kriza në institucionin e Gjykatës Kushtetuese do të zgjasë deri në muajin nëntor. Përplasjet institucionale mes mazhorancës dhe Presidentit do të përshkallëzojnë bllokimin e institucioneve kushtetuese, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë dhe Avokatin e Popullit. Mbyllja e punimeve të Kuvendit në të njëjtën kohë është pasuar me shtimin e dozës së akuzave ndaj Presidentit për shkelje të afatit prej afro 1 muajsh për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Shkelja e afateve kushtetuese për emërimin e kryetarit të ri të kësaj gjykate pritet të zgjasë deri në 6 muaj që nga koha kur këtij të fundit i ka përfunduar në mënyrë zyrtare mandati. Presidenca nuk ka dhënë asnjë emër për riciklimin e 4 anëtarëve, të cilëve u ka mbaruar mandati dhe ka paralajmëruar se propozimet për zëvendësimin e gjyqtarëve do të bëhet në muajin shtator. Madje tensioni shkon edhe më tej, ku konstitucionalistët shqiptarë shprehen nën zë se zvarritja e afateve për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese do të shkojë përtej afatit 6-mujor. Gjykata Kushtetuese do të rinisë shqyrtimin e çështjeve më 14 shtator, por në lidhje me vendimet ende asgjë nuk është e qartë, për shkak se pothuajse gjysmës së anëtarëve u ka mbaruar mandati. Ligji “Antimafia” është marrë në shqyrtim, por ende nuk ka një vendim në lidhje me këtë çështje. Ngërçi dhe bllokimi i punës nuk ka përfshirë vetëm institucionin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe Avokatin e Popullit dhe Gjykatën e Lartë. Muaji shtator ka shumë gjasa të përfshijë institucionet shqiptare në një ‘vullkan’ politik. Pavarësisht se kreu i shtetit e nisi me patos dekretimin e gjyqtarëve, duket se tashmë i gjithë procesi është frenuar duke bllokuar një seri institucionesh, ku përpos kushtetueses janë në ngërç edhe institucione të tjera, si Avokati i Popullit dhe Gjykata e Lartë. Po kështu edhe spektri politik ka rënë në heshtje në lidhje me këtë fenomen.
Përplasjet institucionalePresidenti është shprehur qartë se do të ushtrojë një kontroll rigoroz për cilëndo kandidaturë që do të pozicionohet në institucione të rëndësishme. Mazhorancës i ngelet vetëm të presë, derisa kreu më i lartë i shtetit të përfundojë kontrollin dhe më pas të thotë fjalën e saj nëpërmjet votës në Kuvend. Presidenti paralajmëroi pak ditë më parë, se në sesionin e ri parlamentar do të bëhen propozimet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, por do të jetë Parlamenti ai që do të ketë në dorë më pas të gjitha procedurat. Përsëritja e fenomenit për kthimin e disa dekreteve të Presidentit ka gjasa të rishfaqet në arenën politike, çka do të shkaktojë pasoja të mëtejshme të zvarritjes së këtij procesi.
‘Konfliktet’ në heshtje të mazhorancës me Presidentin pritet të sjellin një zvarritje të mëtejshme të procesit. Propozimet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të kalojnë në Kuvend dhe në këtë pikë do të jetë Parlamenti ai që do të ketë ‘topin’ në fushën e lojës dhe do të përcaktojë nëse ‘loja’ do të zgjasë me minuta, orë, apo më muaj. Pas zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, atëherë Presidenti do të japë propozimin e tij për zgjedhjen e kryetarit. Këshilltari juridik, Spiro Peçi, disa ditë më parë në një intervistë për “Shqip” deklaroi se kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese do të jetë përgjatë zgjedhjes së anëtarëve të rinj.
Kompetencat e kryetaritKryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristos, i ka mbaruar mandati që më 7 qershor. Gjithsesi, ligji parashikon që ai të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij. Përgjegjësia e kryetarit të kësaj gjykate është edhe administrative, pra ai drejton aktivitetin e të gjithë gjykatës dhe jo vetëm procesin gjyqësor. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 12 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, përgatit, thërret dhe drejton seancat plenare të kësaj gjykate, bashkërendon punën mes gjyqtarëve, përfaqëson gjykatën në marrëdhëniet me të tretët, si dhe nënshkruan aktet e saj, por dhe drejton punën e administratës së saj. Por, sipas po këtij ligji, Kristo ka të drejtë të rizgjidhet sërish në krye të këtij institucioni. Kristo mori mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2007 dhe në qershor të po atij viti u zgjodh kryetar i saj, ndërkohë që Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza tashmë janë pa mandat. Në zbatim të plotë të ligjit janë vetëm gjyqtarët e sapozgjedhur Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, të cilët u votuan pak kohë më parë në Kuvend. Presidenca ka paralajmëruar se propozimet për zëvendësimin e gjyqtarëve do të bëhen në muajin shtator.
#