E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia hap tenderin për kërkim nafte pranë bregdetit shqiptar

Greqia ka ndërmarrë hapa konkret në kërkimin e naftës shumë pranë bregdetit shqiptar, pikërisht në zonën e parashikuar nga marrëveshja për detin midis qeverisë shqiptare dhe asaj helene, e rrezuar më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo është një ndër çështjet më të kontestuara aktualisht nga të gjitha segmentet e shoqërisë , megjithatë ky fakt nuk e ka ndaluar Greqinë që dje të shpallte tenderin për kërkimin e naftës pranë kufijve detar të vendit tonë.

Në faqen zyrtare të Ministrisë greke të Energjisë, Mjedisit dhe Ndryshimit të Klimës, u publikua dje ftesa për ofertë për të gjitha shoqëritë e huaja që duan të bëjnë kërkime për lëndë djegëse si naftë bruto apo gaz natyror në tre pika kërkimore.

Mes tyre është edhe njëra shumë pranë kufirit detar me Shqipërinë. Çështja komplikohet edhe më tej, kur pala greke vijon kërkesat për zbatimin e marrëveshjes së arritur midis dy qeverive për ndarjen e shelfit kontinental, e cila prekte ndjeshëm interesat kombëtare të Shqipërisë.

Sipas komunikatës për mediat, ministria greke jep gjashtë muaj afat, deri në korrik 2012 për të pranuar ofertat me të gjitha dokumentacionet e kërkuara, nga të gjitha shoqëritë e interesuara për këtë tender. Kërkimet do të bëhen në Janinë, zona në kufi me Shqipërinë, Gjiri i Patrës dhe Katakolon.

Konkursi do të zhvillohet më datë 2 korrik 2012. Sipas ministrisë kjo periudhë gjashtë mujore është e mjaftueshme që shoqëritë ndërkombëtare të përgatisin ofertat e tyre. Besojmë se hapja e këtij tenderi do të tërheq vëmendjen e shoqërive të mëdha botërore që operojnë në tregun e naftës dhe gazit. Me transparencë, shpejtësi efiçencë dhe respekt për mjedisin turistik, ne planifikojmë që të shfrytëzojmë të gjitha burimet e Greqisë, – citohet të jetë shprehur zëvendësministri grek i Energjisë, Janis (Yiannis) Maniatis.

Marrëveshja e firmosur në vitin 2009 nga ish-ministrat e jashtëm Lulzi Basha dhe Dora Bakojanis, në Tiranë, prani edhe të kryeministrave respektiv, Sali Berisha dhe Kostas Karamanlis u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Si rrallë herë në rastet e çështjeve të shqyrtuara në këtë gjykatë, vendimi u mor me një shumicë 9 me 0 duke përforcuar kështu argumentin e gjykatës.

Pranimi i ofertave

Në bazë të tenderimit me dyer të hapura ofertat e aplikantëve do të pranohen deri në ditën e fundit të gjashtëmujorit të parë dhe të dytë. Ofertat do të pranohen deri më 2 korrik të vitit 2012 në orën 15:00, ofertat që do të arrijnë ministrinë pas këtij limiti kohor nuk do të pranohen.

Kriteret e përzgjedhjes

Përzgjedhja e fituesve do të bëhet në bazë të kritereve të mëposhtme:

Qëndrueshmërinë financiare e aplikantit për të kryer eksplorimet e duhura si dhe për të përpunuar lëndët e hidrokarbureve nga zonat në fjalë.

Prova të ekspertizës teknike për të vepruar, jo vetëm në fazën paraprake, por edhe në fazën e zhvillimit dhe prodhimit.

Dokumentacion të plotë të plotësimit të parametrave teknike dhe fiskale.

Cilësi në programin e punës dhe afat të përcaktuar qartësisht, për vlerësimin e potencialit të plotë të zonës ku do të zhvillohen kërkimet.

I përzgjedhuri duhet të njohë zonën përbërjen gjeologjike të zonës së kërkimit si dhe të bëjë propozime të qarta për kryerjen e eksplorimeve të efektshme dhe të sigurta për hidrokarburet.

Përvojë në shpimet e thella në mjedise gjeologjikisht sfiduese (p.sh. shpimet me presion të lartë apo dhe në prani të gazrave të ndryshme nëntokësore),

Eksperiencë pune në territore të ndjeshme mjedisore, ku turizmi është një faktor i lartë fitimi.

Rëndësi shumë të madhe do të ketë çdo e metë, sado e vogël, apo dhe mangësitë që aplikanti mund të ketë shfaqur në licencat që ka fituar para këtij aplikimi.

Licenca

Ministria do të nënshkruaj kontratën me aplikantin fitues në bazë të Ligjit grek për naftën nr 2289/1995, të ndryshuar. Marrëveshja mes ministrisë dhe subjektit do të jetë qiradhënieje.

Procedura e vlerësimit

Çdo subjekt që dëshiron të përzgjidhet duhet të ketë kualifikim të nivelit të lartë, i cili do të provohet me kapacitetin demonstrues të aplikantit.

Në rast se aplikantët punojnë në grup aplikanti në emër të të cilit do të lëshohet licenca duhet të përmbush kriteret teknike dhe financiare ndërkohë që të tjerët duhet të përmbushin vetëm kriteret financiare.

Ministria ka të drejtën ekskluzive e përzgjedhjes së çdo aplikanti që ajo mendon se plotëson të gjitha kushtet, por ka gjithashtu të drejtë të përjashtoj çdo lloj aplikanti pas fazës së parë të selektimit.

Gasprom largohet nga Greqia?

Anullimi i projektit të naftësjellësit, Burgas-Aleksandropulos ka sjellë pakënaqësi tek drejtuesit e gjigantit rus të gazit, Gasprom aq sa kanë bërë këtë kompani të largohet nga Greqia. Një gjë e tillë ka venë në lëvizje qeverinë greke, por përpjekja duket se do të përfundojë pa sukses. Mësohet se ruset i kanë kërkuar Greqisë të ushtrojë presion mbi Bullgarinë, si dhe të përshpejtojë ndryshimet ligjore me anë të të cilave do të lejohej ndërtimi sa më shpejtë i naftësjellësit, i cili do ta kthente shtetin helen në partner kryesor të transportit të hidrokarbureve në Europë. Ashtu si Bullgaria edhe Greqia duket se i ka shmangur përplasjet me lobingjet e fuqishme të kompanive amerikane, interesat e të cilave mbështeten fuqishëm prej administratës Obama. TCH

Ani Shembitraku

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›