Greqia i kërkon FMN ristrukturimin e borxhit
Greqia ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Bashkimi Europian, që të hyjë në procesin e ristrukturimit të borxhit. Këtë fakt e konfirmoi, pa përmendur burimet, e përditshmja greke “Elefterotipia” që shtoi se bisedimet për ristrukturimin e borxhit do të nisin në muajin qershor. Por raportimet mediatike, se vendi i zhytur në borxhe do të kërkojë ristrukturim të tyre janë mohuar rregullisht nga ministri grek i Financave dhe nga zyrtarët e Bashkimit Europian dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa gazeta greke thotë se "kërkesa e qeverisë është prezantuar nga ministri i Financave, Jorgo Papakonstantinu, në një takim informal të Euro-grupit në Hungari në fillim të këtij muaji, dhe se ky vendim po mohohet pasi është një lëvizje e paparashikuar më parë”.
Gazeta thotë se edhe sekretari amerikan i thesarit Timothy Geithner është në favor. E përditshmja citon burimet të perifrazojnë sekretarin Geithner, t’i ketë thënë ministrit grek se “ju duhet ta bëni këtë lëvizje”. Publikimi i raportimit të gazetës u pasua nga një koment i një zyrtari të pa identifikuar, që ripërsëriti qëndrimin se ristrukturimi i borxhit nuk është në tryezë. Por pavarësisht mohimit konstant të kësaj mundësie, në tregje ka vijuar të rritet hendeku mes interesit të borxhit sovran të Greqisë me bonot bençmakt të Gjermanisë. Në fundjavën e kaluar, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble u citua nga e përditshmja “Die Welt” të ketë thënë se “nëse Greqia do dështojë në auditin e muajit qershor, atëherë do të duhet të merren masa të mëtejshme”.