Financat: Ligji për akcizat nuk ndryshon, argumentet e Presidentit jo bindëse
Ligji për akcizat do të rikthehet në kuvend pa asnjë ndryshim. Ministria e Financave do ta dërgojë ligjin në fjalë për rivotim, duke mos e ndryshuar projektin e taksimit të mallrave me akcizë dhe pikërisht ato që do të mbartin pulla fiskale. Burime konfidenciale pranë Ministrisë së Financave, bënë të ditur për “MAPO”, se ligjit nuk do t’i bëhet asnjë ndryshim për arsye se argumentet e Presidentit për mosdekretimin e tij nuk ishin të qarta, bindëse dhe shteruese. Sipas Financave, ligji për akcizat ka pasur si qëllim kryesor decentralizimin e sistemit të pullave fiskale nga shteti në koncensionar privat dhe tashmë kontrata është kryer. Projektligji në fjalë, që është miratuar vetëm me votat e maxhorancës, parashikon që të pajisen me pulla fiskale, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt, që quhet ‘Kodi i sigurisë’. Në këtë mënyrë, po ndërrohet sistemi, nga i centralizuar në duart e shtetit në një koncensionar. Me ligjin e mëparshëm të akcizave 1 herë në katër vjet bëhej rakordimi për pullat fiskale, pasi ishte i pamundur kontrolli i tyre. Ndryshimi thelbësor që i është bërë ligjit konsiston në mënyrën e depozitimit nga koncensionari tek importuesi jashtë kufijve. Ndërsa Kreu i Shtetit, Bamir Topi ia ktheu Kuvendit për rishqyrtim këtë ligj, duke mos e dekretuar me argumentin se ndryshimi i bërë për nenin 24 të ligjit ekzistues, bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA-së sepse sipas tij, neni 33 i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, ndër të tjera parashikon se ‘që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, nuk vendosen detyrime doganore të reja për importet ose eksportet, ose tarifa të reja me efekt të njëjtë me to, dhe nuk rriten as ato që zbatohen tashmë në tregtinë ndërmjet Komunitetit dhe Shqipërisë’. Presidenti sqaroi se, në vetvete, ky ligj ndryshon tarifat e përcaktuara para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, marrëveshje e cila në hierarkinë e normave ligjore vjen pas Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, sipas tij, vendosja e këtij rregullimi të ri ligjor, prish parimin e një sistemi ekonomik të bazuar në ekonominë e tregut, sanksionuar kjo dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe passjellë një trajtim diskriminues për prodhuesit vendas.
Në gjykimin e Presidentit Topi, ndryshimet e shpejta në ligjin për akcizat e paraqitur për shpallje, vijnë si pasojë e hyrjes në fuqi të kontratës së koncesionit, për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, kontratë e cila kërkon implementimit e disa ndryshimeve të kuadrit ligjor ekzistues, brenda një afati shumë të shkurtër kohor, përfshirë këtu edhe ligjin për akcizat. Sipas tij, ndryshimet e shpejta, përveçse nuk sjellin pritshmërinë e dëshirueshme, mund të shkaktojnë një efekt tërësisht të kundërt. Pritet që Ministria e Financave të dërgojë zyrtarisht ligjin e pandryshuar, për t’u diskutuar dhe miratuar atje e pastaj të kalojë në seancë plenare.