Greqia i shpëton falimentit, miratohet huaja
Greqisë do ti jepet ndihma prej 130 miliardë eurosh. Pas më shumë se 12 orësh diskutime të përbashkëta dhe marrëveshje të veçanta, Eurogrupi i ka hapur dritën jeshile huasë që do të shpëtojë Athinën nga falimenti.
Ndihma prej 130 miliardë eurosh do të jepet nga vendet anëtare të eurozonës, të cilat shpresojnë në një kontribut domethënës edhe nga ana e FMN-së, gjë që pritet të vendoset nga shefja e këtij institucioni, Kristinë Lagardë, në mars.
Pas 110 miliardë eurosh të akorduara në 2010-n, shifra totale arrin në 240 miliardë euro.
Por për presidenin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, dy janë aspektet më delikate në lidhje me politikën: partitë greke duhet të mbështesin impenjimin e ndërmarrë nga kryeministri Lukas Papademos dhe ministri i Financave, Evangelos Venizellos, dhe vënia në praktikë e planit të shpëtimit duhet të monitorohet në mënyrë korrekte.
Trojka BE-BQE-FMN, e cila gjatë viteve të fundit e ka mbikëqyrur situatën përmes misioneve të dërguara çdo tre muaj, kësaj here do të vendoset në Athinë.
Në fakt, arritja e marrëveshjes është më shumë fitore e vendeve nordike, të cilat kanë shprehur mosbesim në politikën greke. Gjermania, e cila ishte e para që u shpreh për nevojën e mbikëqyrjes së Athinës, javët e fundit i kishte zbutur tonet.
Por Holanda është treguar më e vendosur, ndërsa ministri De Jager i ka kërkuar trojkës ndërhyrjen permanente.
Frikës se impenjimet e qeverisë Papademos mund të mos përkrahen nga qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e prillit, Eurogrupi i është përgjigjur me masa paraprake.
Dhënia e ndihmës në kuadër të planit të shpëtimit nuk do të bëhet menjëherë. Ajo do të shtrihet përgjatë dy viteve, deri në vitn 2014.
Pavarësisht pikëpyetjeve që lindin, plani i ri garanton që Greqia do të mbetet në grupin e euros, kjo sipas presidentit të Eurogrupit, Jean Claude Juncker. / Gazmira Ndoja