Zbulohet kërpudha që ha plastikën
Zgjidhja për ndotjen që krijon plastika në ambient fshihet në pyjet e Amazonës. Një grup studentësh të Universitetit të Yale-it ka zbuluar gjatë një ekspedite në Amazonë një lloj kërpudhe, e cila është në gjendje të tretë plastikën.
Ekipi i i udhëhequr nga profesori i biokimisë molekulare, Scott Strobel, e bëri këtë zbulim gjatë një ekspedite kërkimore që universiteti i njohur amerikan organizon çdo vit për të ndihmuar studentët të zgjerojnë njohuritë e tyre në terren.
Ky zbulim mund të jetë çelësi magjik për të ndërtuar një teknologji të tërë të eliminimit të mbeturinave. Kërpudha e quajtur Pestalotiopsis microspora është në gjendje të degradojë poliuretanin, një substancë plastike që përdoret për prodhimin e një sërë objektesh të përdorimit të përditshën, si tubat e përkulshëm, këpucët, mobiljet e kopshteve apo sediljet e kamionëve.
Poliuretani është një substancë rezistente që mund të jetojë për breza të tërë, pasi është veçanërisht e qëndrueshme ndaj degradimit, ndaj futja në lojë e një organizmi që është në gjendje ta tresë do të përbënte një çlirim për ambientin.
Procesin e tretjes, kërpudha e Amazonës e arrin në mungesë të oksigjeni, një ambient karakteristik për fundin e vendgrumbullimit të mbeturinave. / Përgatiti: Gazmira Ndoja