Greqia merr pjesën e parë të ndihmës BE-FMN
Greqia mori dje pjesën e parë të kredisë prej 110 miliardë eurosh të miratuara në fillim të këtij muaji nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Plot 20 miliardë euro, 14.5 nga BE dhe 5.5 miliardë nga FMN, kanë kaluar në arkat e shtetit helen, për ta ndihmuar vendin të dalë nga kriza e thellë ekonomike ku është zhytur. Pjesa tjetër e ndihmës mendohet të lëvrohet në muajin gusht. Ndërkaq, nesër është parashikuar që të zhvillohet sërish në vend një grevë e përgjithshme kundër masave të ashpra të marra nga qeveria e Athinës për reduktimin e borxhit që ka gjunjëzuar vendin. Qeveria e Papandreut pësoi edhe një tjetër “krizë”, kur zëvendësministrja e Turizmit, Anxhela Gereku, dha dorëheqjen, pasi bashkëshorti i saj, një këngëtar i njohur grek, akuzohet për evazion fiskal me një shumë prej 5.5 milionë eurosh ndaj qeverisë greke. Ajo është zyrtarja e dytë që largohet nga qeveria e Papandreut. Në nëntor të vitit të kaluar, zëvendësministri i Brendshëm ishte detyruar të dorëhiqej, pas publikimit në shtyp se kishte përdorur autoritetin e vet për të kryer ndere të pamerituara. Ajo e argumentoi këtë akt me ndjeshmërinë e saj morale dhe me dëshirën për mos t’u goditur qeveria. Gereku vuri në dukje se e kishte informuar Kryeministrin se nuk kishte asnjë lidhje me detyrimet tatimore të të shoqit. Por nëse Greqia duket se gjeti pak paqe pas marrjes së transhit të parë të ndihmës, ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen sërish të premten për t’u përpjekur ta zgjidhin mosmarrëveshjet mbi aktinizmin e planit anti-krizë prej 750 miliardë eurosh pas diskutimeve të gjata, por jo frytdhënëse, të bëra në takimin e fundit. Rreth një javë nga aprovimi i planit që ka frenuar disi spekulimet në treg mbi borxhin e vendeve të tjera që rrezikojnë falimentimin, gjermanët dhe francezët janë tërësisht kundër mënyrës se si ky plan duhet të funksionojë. Sipas Gjermanisë, që mund të mbështetet edhe te ndihma e vendeve të ulta, mekanizmi duhet të funksionojë rast për rast, duke kaluar çdoherë nga parlamentet kombëtare. Nga ana tjetër, Parisi këmbëngul për një praktikë më të thjeshtë dhe më të qëndrueshme. “Ishte debat shumë i lodhshëm”, tha ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde, që saktësoi se modaliteti i funksionimit të burimeve të fondit të stabilizimit financiar europian ishte në qendër të debatit. Lagarde ka shpjeguar se 16 shtetet e Eurozonës do të jenë aksioniste të kësaj strukture të re, Komisioni Europian do të veprojë si observator, ndërsa Banka Europiane e Investimeve do të ofrojë një mbështetje administrative. Eurogrupi u duk në një mendje e dha krejtësisht mbështetjen për propozimin e Komisionit Europian që dëshiron të vendosë “semestrin europian” në fillim të çdo viti, ku shtetet anëtare do të mblidhen për t’u përballuar me qëllim dhe ushtrimin e kontrolleve mbi planet e bilanceve të njëra-tjetrës. Berlini ka deklaruar se po përgatit propozime për të mbështetur monedhën e përbashkët dhe për të evituar një krizë të re borxhesh. Po ashtu, sipas zërave që qarkullojnë, Berlini dëshiron të aplikojë në të gjithë Eurozonën modelin gjerman të “frenimit të debitit” të adoptuar vitin e kaluar, kur e bëri kushtetues limitin e borxhit publik.
#