Polici vret policin për një fjalë goje
Hapat e ngadaltë të kolegut kanë acaruar dhe më pas shndërruar në vrasës një punonjës policie të Bushatit. Viktima ka qenë një koleg i tij, punonjës policie i së njëjtës postë me vrasësin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në mesditë në Komunën e Bushatit të Shkodrës, kur polici Ramiz Ademi, 41 vjeç, ka qëlluar për vdekje kolegun, Tom Jakini, 35 vjeç, babai i tre fëmijëve. Gjithçka ndodhi gjatë ndërrimit të shërbimit të dy efektivëve, ndërkohë që autori i vrasjes është vetëdorëzuar disa minuta pas krimit. Burime konfidenciale nga policia lokale pohuan për “Shqip” se asnjë nga policët nuk ka qenë në gjendje të dehur, por shkak i ngjarjes së rëndë është bërë një grindje banale mes tyre.
NgjarjaDy policët kanë nisur sherrin në momentin që kanë qenë duke ecur bashkë në rrugë, përpara godinës së Komunës së Bushatit. Ata ishin nisur drejt postës së policisë, ku njëri do të dorëzonte dhe tjetri do të merrte shërbimin. Në një moment 41-vjeçari Ademi i ka kërkuar viktimës që të ecnin më ngadalë, por kjo duket se nuk është pranuar nga 35-vjeçari. Në këtë moment, mes dy kolegëve policë kanë nisur fyerjet në formë shakaje, por më pas loja është marrë seriozisht dhe dy uniformat blu janë përleshur fizikisht. Pas grushteve, polici Ramiz Ademi u ka lënë vendin armëve, ai ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të kolegut, Tom Jakini, baba i tre fëmijëve. 35-vjeçari ka marrë katër plagë në trup duke gjetur vdekjen e menjëhershme, përpara portës së godinës së Komunës Bushat. çdo përpjekje për shpëtimin e tij nga kalimtarë të rastit ka qenë e kotë, pasi ai ka ndërruar jetë pak minuta pas plagosjes nga dora e shokut të tij.
VetëdorëzimiAutori i ngjarjes, pas aktit të kryer, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Forca të shumta policie janë vënë në ndjekje të tij, duke ngritur dhe postblloqe të lëvizshme në rrugët hyrëse dhe dalëse të Komunës së Bushatit. Burime konfidenciale pohuan për gazetën se eprorët drejtues të Policisë së Qarkut të Shkodrës i kanë telefonuar në celular autorit të ngjarjes, duke i kërkuar të dorëzohej. Kërkesa e eprorëve është marrë parasysh nga 41-vjeçari, i cili disa minuta më pas ka shkuar në postën e policisë për t’u dorëzuar së bashku me armën e krimit, pistoletën që mbante me leje për shkak të detyrës. Tashmë polici vrasës ndodhet në komisariat, jo më për të marrë shërbimin për ku ishte nisur, por për të hyrë në qeli për krimin e kryer. Ngjarja e rëndë dhe e pazakontë ka tronditur banorët e Bushatit, të cilët kanë vëzhguar nga larg veprimet e grupit hetimor në vendin e ngjarjes. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, trupi i pajetë i policit 35-vjeçar Tom Jakini është dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës, nga ku më pas do të tërhiqej nga familjarët.
Shtatë vjet kolegëDy policët Ramiz Ademi nga fshati Mushan i Komunës së Dajçit dhe Tom Jakini, banor i fshatit Narac i Bashkisë së Vaut të Dejës kishin shtatë vite që punonin në postën e policisë në Bushat, në sektorin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike. Sipas burimeve policore, të dy efektivët blu nuk kishin pasur më parë asnjë konflikt, madje janë dalluar për punën e mirë që kanë bërë së bashku në zonën ku punonin. Ndërkohë, burime konfidenciale pohuan për gazetën se autori i ngjarjes, polici Ramiz Ademi, në momentin e arrestimit ka shfaqur pendesë dhe ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike. Ai ndihej fajtor për krimin e kryer ndaj kolegut dhe gjatë gjithë kohës ka qarë. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale tetë gëzhoja, të cilat janë qitur nga pistoleta e shërbimit të 41-vjeçarit Ademi.
Ky është rasti i dytë në Qarkun e Shkodrës, kur polici vret policin, pas atij të ndodhur në Malësi të Madhe në vitin 1998, kur një polic qëlloi për vdekje kolegun e tij me armën e shërbimit.
#