E Diel, 1 Nëntor 2026

Orhan Pamuk: Berati më kujton qytetin ku kalova fëmijërinë

Nobelisti i njohur turk, Orhan Pamuk, ka vizituar dje qytetin e Beratit. E ka kërkuar vetë këtë vizitë, sepse siç e ka shprehur edhe vetë dje gjatë një takimi, ky qytet i ngjan shumë me vendin ku ka lindur. “E kam pritur vizitën time këtu, si një fëmije që mezi pret të shikojë një shfaqje cirku”, tha mes të tjerash shkrimtari

“Ja ku vjen në Berat, 300 vjet pas Elvia Celebisë, një tjetër shkrimtar turk”, u shpreh dje gjatë vizitës së tij në Berat nobelisti turk, Orhan Pamuk. “E kam pritur me padurim këtë vizitë në Berat”, ka deklaruar nga qyteti i një mbi një dritareve, shkrimtari i mirënjohur, i cili pas vizitave zyrtare në kryeqytet dhe marrjen e titullit “Doktor Honoris Causa” prej Universitetit të Tiranës, ka zgjedhur me plot dëshirë të shikojë nga afër qytetin e bukur të Beratit. Dhe nuk ka qenë një zgjedhje e rastësishme kjo e tija. Para se të ndërmerrte udhëtimin drejt Shqipërisë, ai ka hulumtuar dhe ka kërkuar të njihet paraprakisht me disa qytete të Shqipërisë. E në këtë kërkim, Berati më shumë se kushdo qytet tjetër, ende pa e vizituar, i ka ngjallur mjaft kureshtje. E jo më kot ka ndodhur kështu. “Jam shumë i emocionuar nga pritja juaj e ngrohtë këtu në Berat. Ju them sinqerisht se e kam pritur me padurim ardhjen time në qytetin tuaj të bukur, në qytetin e Beratit. E kam pritur vizitën time këtu, si një fëmije që mezi pret të shikojë një shfaqje cirku. Ndërsa vija këtu, pashë nga makina këtë zonë të bukur dhe gjithçka më kujtoi fëmijërinë time, qytetin tim të lindjes. Ndërsa vija këtu më ngjante sikur kisha qenë më parë në këtë qytet. Dua t’ju falënderoj që më lumturuat së tepërmi me pritjen tuaj me sinqeritetin dhe me buzëqeshjen tuaj”, tha Orhan Pamuk gjatë një takimi në bibliotekën “Vexhi Buharaja” e qytetit ku u prit nga pushtetarë lokalë e dashamirës të librit. Më tej, shkrimtari i mirënjohur, foli edhe për arkitekturën e bukur të Beratit dhe përgëzoi qytetarët për mirëmbajtjen që po i bëjnë qytetit të tyre. “Dua t’ju përgëzoj që e keni mbajtur kaq mirë Beratin, që i dini mjaft mirë vlerat e tij. Më vjen mirë që e keni ruajtur kaq mirë qytetin tuaj. Ne qytete të këtilla i kemi betonuar, i kemi shkatërruar, i kemi prishur”, u shpreh ai. I përfshirë në një atmosferë mikpritëse në Berat, Orhan Pamuk ka nënvizuar edhe ngjashmërinë e madhe mes dy popujve. Dhe është krejtësisht e pashmangshme për shkrimtarin që të mos flasë për letërsinë. Në këtë takim ai ka komentuar romanet dhe historitë që ka zgjedhur të përshkruajë. “Në librat e mi unë nuk trajtoj konfliktet Lindje-Perëndim, ashtu sikundër nuk trajtoj as konfliktin mysliman-ortodoks, por trajtoj miqësinë midis njerëzve dhe këtë do ta konfirmojmë duke ruajtur sa më shumë qytetet tona”, vijoi më tej nobelisti turk, i pari që viziton vendin tonë. Gjatë takimit të djeshëm, kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, përshëndeti ardhjen e nobelistit turk, duke e cilësuar vizitën e tij si mjaft të rëndësishme për këtë qytet. Ndërsa, prefekti Bujar Hoxha në fjalën e tij u shpreh se do t’i kërkojë këshillit bashkiak dhe bashkisë së këtij qyteti që të vlerësojë me titullin “nder i qytetit”, shkrimtarin e njohur. Orhan Pamuk erdhi për një vizitë dyditore në Shqipëri me rastin e botimit në shqip të romanit të tij “Stambolli, qyteti dhe kujtime”. Vizita e tij në vendin tonë u mundësua prej shtëpisë botuese “Skanderbeg Books” e cila ka edhe ekskluzivitetin e botimit të veprës së tij në gjuhën shqipe. Ky roman trajton edhe historinë e dashurisë së tij me një vajzë shqiptare, të cilën shkrimtari e ka quajtur “Trëndafili i zi”, pasi kështu përkthehej emri i saj i vërtetë prej gjuhës perse. Ky libër i botuar gjashtë vjet më parë është një portret i tij për qytetin e lindjes, përshkruar me melankolinë e jetës së këtij qyteti. Thuajse si në të gjitha veprat e tij, edhe në këtë roman gjenden gjurmë autobiografike.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›