Greqia mund të përjashtohet nga zona Shengen

Gazeta greke “Kathimerini” shkruan sot se Greqia rrezikon daljen e saj nga zona Shengen.
Sipas gazetës, kjo do të ndodhë pasi vendi nuk ka arritur të shënojë rezultate efikase në luftën kundër emigracionit ilegal dhe për shkak të rrënimit të imazhit të saj në aspektin ndërkombëtar.
Gazeta shkruan se partnerët evropian janë mosbesues ndaj aftësive të Greqisë, për të kontrolluar kufijt e saj në mënyrë efikase.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimet se Greqia është vendi tranzitor për kalimin dhe transportin e emigrantëve afgan dhe nga vendet e tjera afriko-aziatike. Kohëve të fundit në Hungari dhe Serbi janë ndaluar qindra emigrantë, të cilët kanë theksuar se kanë hyrë përmes Greqisë.
Eurokomisionerja për çështje të brendshme, Sesilia Malstorm ka theksuar se shqetësimet i janë shprehur edhe ministrit grek për mbrojtjen e qytetarëve, Hristos Papucis.