E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia ofron blerjen e bondeve me humbje

Gazeta Shqip

Kriza

Kredidhënësit do të marrin 32 deri në 40 për qind të investimit të vet

Greqia hapi programin e saj për blerjen e një pjese të borxhit të vet, një program që bën pjesë në kushtet për lëshimin e këstit të ri të ndihmave nga BE-ja dhe FMN-ja. Qeveria pritet të blejë rreth 10 miliardë euro bonde të emetuara vite të shkuara nga investitorët privatë, të cilët duhet të pranojnë të shesin bondet e tyre përkundrejt vlerës nominale prej 32 deri në 40 për qind. Ata do të paguhen me bonde gjashtëmujore të emetuara nga Fondi Europian i Shpëtimit EFSF. Operacioni do të ulë barrën e përgjithshme të borxheve të Greqisë. Investitorët privatë kanë kohë deri të premten të pranojnë skemën ndërsa marrëveshjet do të nënshkruhen brenda 17 dhjetorit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi pak ditë më parë se Greqia do të marrë në fund të fundit falje të një pjese të borxheve të veta. Ajo pati refuzuar këtë opsion për shumë kohë për shkak të presionit nga votuesit e vet, të cilët do të jenë edhe paguesit finalë të borxheve që po i falen Greqisë. Por aritmetika ekonomike nënkupton se për Greqinë nuk ka rrugë tjetër veç faljes së borxheve.

Programi aktual do të strukturohet sipas modelit të ankandeve holandeze, ku kredidhënësit që aplikojnë të parët do të marrin edhe ofertën më të mirë. Kreditorët privatë pranuan marsin e kaluar të falin 170 miliardë euro borxhe dhe interesa mbi borxhet e qeverisë së Greqisë pasi shumica e bankave dhe kompanive të sigurimeve i kishin humbur shpresat se do të merrnin realisht vlerën e plotë të investimeve të veta. Nëse operacioni aktual del me sukses, më 13 dhjetor Greqia do të marrë këstin e radhës së ndihmës së shpëtimit nga falimenti me vlerë 44 miliardë euro.

Greqia ka pritur që në qershor për këtë këst kredie. Pagesat u miratuan vetëm javën e kaluar në një takim mes ministrave europianë të Financave dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Greqia ofron blerjen e bondeve me humbje burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›