E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia shkëmben varrezat e ushtarëve me Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit

>Parlamenti grek miraton me shumicë votash MSA-në me Shqipërinë. Deputetët debatojnë, pro dhe kundër.
Parlamenti grek ka miratuar dje pasdite Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me Shqipërinë. Pas një seance të gjatë parlamentare dhe me plot debate nga forcat e partive të ndryshme greke, është ratifikuar me shumicë votash MSA-ja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Kjo seancë është shoqëruar edhe nga protesta në ambientin e jashtëm përballë parlamentit, të organizuara nga grupe të minoritetit helen OMONIA, të cilët janë shprehur kundër këtij ratifikimi. Sipas tyre Shqipëria nuk respekton të drejtat e vorio-epirotëve. Çështja e minoritetit grek, por e parë nga prizëm të ndryshme ka qenë ajo që ka mbajtur peshë diskutimet në parlamentin grek përsa i përket ratifikimit të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Diskutimet kanë filluar në orën 18:00, sipas orës lokale nga deputetët Jorgos Anagnostopullos i Demokracisë së Re dhe Eva Kaili e Pasokut. Të dy deputetët e rinj të këtyre partive kanë theksuar faktin e rëndësisë së kësaj marrëveshjeje dhe përfitimin që do të ketë Shqipëria nga kjo marrëveshje, por duke theksuar se gjithnjë duhet të ketë parasysh të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kjo marrëveshje. Këtu nuk janë lënë pa përmendur përsëri faktet e të drejtave që duhet të zbatojë shteti shqiptarë për minoritetin grek, si dhe për çështje të tjera. Por në thelb ata kanë theksuar se dy partitë e mëdha janë dakord me ratifikimin e MSA-së. Në vazhdën e tyre ka qenë edhe diskutimi i deputetes së Partisë Komuniste Liana Kaneli, e cila është shprehur se edhe komunistët grekë do të ratifikojnë marrëveshjen. Ndërkaq, zërat kundër kanë ardhur nga deputeti i Partisë Ultramacionaliste greke Adonis Gjeorgjiadhsi dhe më pas kryetari i kësaj partie Jorgos Karaxhaferi, të cilët janë ndjekur nga deputetë të tjerë që kanë shprehur rezervat ose ok, për ratifikimin e MSA-së me Shqipërinë. Në momentet kur në parlament kryheshin këto diskutime rreth 150 shqiptarë minoritarë dhe 50 anëtarë të ish- shoqatës ultranacionaliste Hrisi Avgji janë mbledhur para parlamentit grek dhe kanë kërkuar mos ratifikimin, por janë shpërndarë me pas pa ndonjë incident.
Shkaqet e vonesë së shqyrtimit të MSA
Si i vetmi shtet evropian që nuk e kishte ratifikuar marrëveshjen e Asocim Stabilizimit   mes Shqipërisë dhe BE-së, Greqia ka marrë dje iniciativën për ta shqyrtuar këtë çështje me interes kombëtar për Shqipërinë, por që ajo vetë duke se e ka barazuar me një varrezë ushtarësh. Vonesa e shtetit grek për shqyrtimin e MSA-së është justifikuar pak kohë më parë nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Jorgos Kumucakos me shkaqe burokratike, duke përmendur se mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira dhe për këtë proces Greqia nuk ka vënë asnjë kusht ndaj shtetit shqiptar. Por kjo deklaratë mbetet dyshuese, teksa të gjitha procedurat e shtetit helen janë bërë gati ditën e djeshme, kur Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë vendosi miratimin në parim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane, të vitit 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim, që ka hyrë në fuqi menjëherë, ka çliruar qeverinë greke kundrejt kërkesave të saj të vazhdueshme për ndërtimin e një varreze për ushtarët e saj të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria Shqiptare e ka marrë një vendim të tillë gjatë paradites së djeshme, ndërkohë që pasdite, parlamenti i shtetit fqinj, Greqi, ka shqyrtuar dhe miratuar Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Ndërkaq, OMONIAi pati kërkuar zyrtarisht Greqisë që të mos e ratifikonte Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Përmes një memorandumi, drejtuar më 25 nëntor, Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme greke, kjo shoqatë apelonte domosdoshmërinë e plotësimit të shtatë kushteve nga Tirana zyrtare para se Athina ti japë miratimin hyrjes së saj në familjen evropiane. Në thelb, kërkesa bazë e OMONIA-s, kryetar i së cilës është kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, ishte dhënia e autonomisë për Vorio-Epirin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›