E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, kompensim për kartat pensionistëve, studentëve dhe asistencës

>Vendim për të ulur në 70 përqind shpenzimet e shtresave në nevojë. Replika me Nishanin për orarin e sporteleve
Kompensohet 65-70% të tarifës për shtresat në nevojë dhe studentët, 56% për pensionistët dhe 30% për administratën. Me tarifat e miratuara dje studentët dhe shtresat në nevojë do të paguajnë 500 lekë, pensionistët 800 lekë dhe punonjësit e administratës 1 000 lekë. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për kompensimin e pagesës për pajisjen me letërnjoftim për shtresat në nevojë. Kryeministri Berisha bëri të ditur se nga ky vendim do të përfitojnë punonjësit e administratës, pensionistët, qytetarët në ndihmë ekonomike dhe studentët. Ai tha se kuponi për letërnjoftimin do të ketë të njëjtën vlerë, por qeveria do të kompensojë një pjesë të pagesës për kategoritë e mësipërme. Nuk do të mund të prodhohen kuponë me vlera të ndryshme, pasi kjo do të komplikonte skemën e shpërndarjes së tyre.   
Puna për kartat, pa orar
Kryeministri Berisha tha se procesi për pajisjen me letërnjoftim dhe pasaporta biometrike të qytetarëve ka një fillim shumë të mbarë dhe ecuria e tij do të monitorohet në çdo moment. Procesi ka një fillim shumë të mbarë dhe duhet të monitorohet në çdo moment për të pasur zhdërvjelltësinë e duhur. Kryeministri Berisha përshëndeti gatishmërinë e dëshmuar nga qytetarët shqiptarë për pajisjen me dokumentet e reja të identifikimit.
Deri tani rezulton se vullneti i qytetarëve është shumë i madh për tu pajisur me letërnjoftime të reja dhe pasaporta biometrike, pasi ata duan të shkëputen nga dokumentet e tipit të vjetër dhe të pajisen me dokumentet e reja si të gjithë qytetarët evropianë dhe që kanë lehtësira të pakrahasueshme me dokumentet ekzistuese. Kjo është jashtëzakonisht pozitive, u shpreh Kryeministri.
Duke sjellë në vëmendje disa probleme të vërejtura në ditët e para, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Brendshme të ushtrojë kontroll nëpërmjet një Task Force të posaçme për mirëfunksionimin e qendrave të aplikimit.
Replika
Berisha ka replikuar me Nishanin për orarin e sporteleve. Problemi i parë doli me shpërndarjen e kuponëve, por ajo ishte një provë dhe kjo është e justifikuar. Pas ditës së premte, kompania merr përsipër të sjellë sasinë totale të kuponëve. Një problem tjetër është orari i qendrave të aplikimit. Qytetarët që kanë shkuar pas punës për të aplikuar për dokumentet, i kanë gjetur zyrat të mbyllura. E kuptoj që ata bëjnë një punë të lodhshme, të pandërprerë dhe që kërkon përqendrim, por, zoti ministër i Brendshëm, duhet të ngarkoni një Task Force për të ushtruar kontroll të përgjithshëm, të njoftohet publiku që zyrat do të jenë të hapura deri në 12 orë në dispozicion të qytetarëve dhe ky orar duhet të zbatohet.-tha Berisha. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani tha se në këto zyra që ditën e hënë është punuar me 12 orë. Përgjigja e tij nuk është pranuar nga kryeministri Berisha i cili tha se Kjo nuk ishte e vërtetë pasi dje qytetarët kishin gjetur zyrat e mbyllura pas orarit zyrtar

*************************
Ja cilat janë përfitimet

-          Punonjësit e administratës do ta marrin letërnjoftimin me vlerën prej 1 000 lekë, ndërsa 200 lekë do ti marrin nga fondi i kompensimit, pra, do të kompensohen për 30 për qind të vlerës.
-          Pensionistët do ta marrin letërnjoftimin me vlerën e 800 lekëve dhe do të kompensohen me vlerën e 400 lekëve, pra, me rreth 56 për qind të çmimit.
-          Studentët me vlerën prej 500 lekë, pra, do të kompensohen për rreth 65-70 për qind të çmimit.
-          Qytetarët në ndihmë ekonomike do ta marrin letërnjoftimin me vlerën e 500 lekëve, duke u kompensuar për rreth 65-70 për qind të çmimit.
-Pagesa e kompensimit është rimbursim i pagesës së bërë dhe të dokumentuar për marrjen e letërnjoftimit dhe kryhet për aplikimet e bëra deri në  30 maj 2009. Pas kësaj date nuk kompensohet asnjë pagesë.
- Kompensimet jepen, përkatësisht, nga zyrat ku bëhen pagesat për pagat, ndihmën ekonomike, papunësinë dhe pensionet. Për studentët pagesa bëhet nga universitetet, ku ata studiojnë. Pagesa e kompensimit përfituesit bëhet menjëherë me fondet buxhetore, të miratuara në buxhetet e institucioneve përkatëse dhe këto të fundit kërkojnë rimbursimin për pagesat e kryera, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.
- Pagesa e kompensimit bëhet në mënyrë të menjëhershme, pasi personi përfitues paraqet, në zyrat e mësipërme, fotokopje të dokumentit, të dhënë nga zyra e gjendjes civile, pas aplikimit për pajisjen me letërnjoftim, të shoqëruar me mandatin e pagesës, së bërë nga përfituesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›