E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia shtrëngon sërish rripin

Parashikohen shkurtime të reja të shpenzimeve publike

Kryeministri grek, Papandreu, ka paralajmëruar dje vendin e tij që të përgatitet për masa të tjera shtrënguese në kuadrin e luftës për të ulur shifrën e lartë të deficitit buxhetor.
“Masat që marrim, të cilat janë masa ekonomike, janë të nevojshme për mbrojtjen e vendit”, ka deklaruar dje numri një i qeverisë. Një paralajmërim i tillë vjen ndërsa Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar janë duke diskutuar detajet e një pakete ndihme financiare ndaj Greqisë, e cila me sa duket është i vetmi mjet shpëtimi. Ekspertët financiarë do të vazhdojnë që të punojnë për këtë projekt edhe gjatë fundjavës. Detajet në lidhje me shkurtimet e tjera të shpenzimeve dhe rritjen e taksave pritet që t’i kërkohen Greqisë pas përfundimit të diskutimit në lidhje me përmasat dhe kushtet e ndihmës financiare. Qeveria greke ka nevojë për planin e kredisë para datës 19 maj.
Për sa u përket masave të tjera shtrënguese që priten të merren, ato do të prekin sërish moshën e daljes në pension me një shtim nga 53 deri në 67 vjeç, një ngrirje prej 3 vitesh për sa u përket pagave dhe shkurtimeve të shumta në shpenzimet e sektorit publik. Këto janë masa shtesë, pasi disa prej tyre janë vënë ndërkohë në funksionim para disa javësh. Por me sa duket europianët kanë nevojë për masa të tjera për të vendosur në lidhje me paketën e ndihmës. Ndër shkurtimet e mundshme dhe të përfolura janë edhe rrogat e 13 dhe 14 që kanë marrë tradicionalisht punonjësit grekë të sektorit publik, pensionet e veçanta, do të ketë një reduktim të benefitit të papunësisë dhe benefite të tjera të shtetit dhe rritje të taksës ndaj alkoolit dhe duhanit. Të gjitha këto shpresohet që ta ulin sadopak deficitin.

Për sa i përket ndihmës financiare, Gjermania, e cila pritet të japë edhe pjesën më të madhe në pozitën e vendit më të fuqishëm ekonomikisht në BE, ndodhet në një presion shumë të madh financiar. Gjermanët nuk duan kurrsesi që Greqisë t’i jepen para për pozitën në të cilën ndodhet, ndërkohë që në datën 9 maj do të ketë zgjedhje lokale shumë të rëndësishme në vend. Një nga propozimet e fundit që i është bërë Merkelit, është që në këtë aksion të mos përfshijë shtetin, por kompani dhe banka private. Duket se një grup bankash dhe kompanish të fuqishme private po përgatiten që të asistojnë në paketën financiare. Por kundër idesë së pagesës janë thuajse të gjithë gjermanët pa përjashtim. Dje, Kryeministri Papandreu deklaroi para Parlamentit se “dhimbja që do t’i shkaktonte vendit, për shkak të masave të rrepta që do të vazhdonin të merreshin, ishte e domosdoshme. “është një detyrë patriotike që të marrim një masë të tillë me çfarëdolloj kostoje politike, por duhet të veprojmë”, ka deklaruar Papandreu. Detajet e hollësishme në lidhje me masat që do të merren ka shumë të ngjarë që të dalin në fillim të javës së ardhshme. Ndërkohë, në vend ka pasur herë pas here demonstrata të ashpra dhe shumë të përshkallëzuara dhe nuk përjashtohet fakti që të ketë trazira të tjera nëse masat do të jenë të rrepta.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›