E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita përshkallëzon aksionin, 22 deputetë nisin grevë urie pa afat

Mes deputetëve të Partisë Socialiste figurojnë katër femra, por dhe deputeti i LMN-së, Arben Malaj

Opozita përshkallëzon qëndrimin. 22 deputetë të Partisë Socialiste dhe rreth 180 qytetarë kanë vendosur të hyjnë në grevë urie. Grupi parlamentar i selisë rozë ka bërë publik dje aktivizimin e alternativës që zbulohet përtej protestës së rrugës, e që më mirë mund të vlerësohet si përshkallëzim thelbësisht radikal i saj. Deputeti Fatmir Xhafa ka lexuar emrat e atyre që janë prezantuar si vullnetarë për pjesëmarrje në këtë akt politik të paprecedent, i cili do të vihet në jetë përpara selisë së qeverisë shqiptare. Një element i veçantë është fakti se në grevë është futur edhe deputeti i LMN-së Arben Malaj. “Grupi kuvendor socialist zhvilloi një takim dhe mori një vendim historik për të nisur një qëndresë paqësore në këtë bulevard që mban emrin ‘Dëshmorët e Kombit’. Sot ka mbetur vetëm një rrugë, të bëjmë rezistencë paqësore, duke i kërkuar Kryeministrit që të hapë kutitë, përndryshe ai duhet të largohet... Do të qëndrojmë këtu, ditë dhe natë, në diell e në shi, qëndrestarë paqësorë për një kauzë ku është përfshirë një popull i tërë. Do i rezistojmë deri në fund çdo vështirësie, përfshirë këtu mungesën e ushqimit, aq gjatë sa do të nevojitet”, tha Xhafa. Vendosmëria për të mos dalë nga ky aksion me një koncesion nga shumica aktuale, është tipari dominues në këtë qëndrim të ri të PS-së. Edhe minimumi i leximit të situatës e jep të qartë idenë se kriza politike është prezente qoftë edhe nëse vlerësimi i saj bëhet përmes optikës së marketingut politik që e ka vendosur Kryeministrin Sali Berisha në kontakt të pandërprerë dhe fizik me të. Por me interes është edhe përbërja e listës së grevistëve parlamentarë që pritet të hyjnë në grevën e urisë. Nga 22 deputetët e përfshirë në këtë nismë, 4 janë femra, ku bie në sy Enkelejda Shkreli, së bashku me Olta Xhaçkën, që vjen në këtë forcë politike nga shoqëria civile. Për më shumë që edhe dy deputetet e tjera femra, Ermonela Felaj dhe Shegushe Ligori, kanë si të përbashkët faktin se ato bëjnë pjesë për herë të parë në trupën parlamentare të PS-së. Analiza e këtij lajmi ruan brenda vetes edhe një informacion me vlerë në pikëpamje të organizimit. Kështu, kreu socialist, Edi Rama, dhe ekipi kryesor drejtues përkrah tij, nuk janë përfshirë në grevën e urisë, duke ruajtur një opsion politik për negocimin me palën tjetër. Një arsye që e bën edhe më të kuptueshëm këtë vendim është edhe paralajmërimi për hapjen e protestës në të gjithë vendin, çka e ka shtyrë PS-në të mbajë në dispozicion forcat më domethënëse politike në terren. Sa i përket menaxhimit të situatës që është nën presionin e temperaturës në ngritje, ka rëndësi të merret në konsideratë edhe skenari që mund të aktualizohet shumë shpejt dhe që përfshin njësitë e pushtetit vendor të drejtuara nga selia rozë. Një ndërprerje e punës së bashkive më të mëdha është, sipas burimeve në selinë rozë, një opsion që do të plotësojë më mirë idenë e Mosbindjes Civile.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›