Inaugurohet katedralja e re Ngjallja e Krishtit në Tiranë
Hapja e katedrales së re Ngjallja e Krishtit në Tiranë u zgjodh jo pa qëllim dje. Besimtarët ortodoksë festuan gjithashtu 20-vjetorin e zgjedhjes së fortlumturisë së tij Anastasit, si kryepeshkop i gjithë Shqipërisë. Në meshën e organizuar për këto evente, përveç besimtarëve ortodoksë, morën pjesë edhe krerët e shtetit: Presidenti në detyrë, Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, lideri i opozitës Edi Rama, si dhe përfaqësues të partive të minoritetit grek në Shqipëri. Në ceremoni morën pjesë përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, kryepeshkopi i Amerikës, Hirësia e Tij, Dhimitri dhe mitropoliti i Filadelfias, Hirësia e Tij, Melitoni, si dhe një numër i madh klerikësh të cilët kanë ndihmuar në ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Katedralja e re në Tiranë është ndërtuar në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore në kompensim të truallit të kishës së vjetër katedrale të Tiranës, e cila u shkatërrua nga regjimi ateist në vitin 1967. Për studimin arkitekturor të veprës, në vitin 2002 u zhvillua një konkurs ndërkombëtar ku fituese u shpall një zyrë arkitekturore nga Nju Jorku. Koncepti arkitekturor i kishës katedrale mbështetet në ciklin, që përmban kuptimin e kohës së pafundme (së përjetshme), aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është po ashtu edhe qendra e një kryqi të madh, me gjatësi dhe gjerësi 49 m, krahët e të cilit përbëjnë masat kryesore mbështetëse të kishës. Kisha mbulohet me kupolë, me diametër të brendshëm 26 m dhe lartësi 23 m, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysmë cilindrike.