Duke lexuar Ngjelën që lexon Washington-in
MUSTAFA NANO
Në një intervistë për Shqipin e djeshëm, Ngjela nënvizonte disa përfundime ku ka arritur ai vetë pas ngjarjeve e zhvillimeve të fundit, të cilat po i listojmë poshtë të perifrazuara (intervista ishte e shkurtër, por mesazhet ishin të shumta):
1. Midis Berishës dhe Washington-it ka një problem të madh, dhe një marrëdhënie të vështirë.
2. Mesazhi i ambasadorit amerikan i lëshuar në sallën e teatrit kombëtar në përurimin e një lëvizjeje nën moton Vepro tani! ishte një mesazh që i ftonte shqiptarët të dalin në protesta.
3. Meta po ia del të shndërrohet në beniaminin e SHBA-ve, dhe lëvizjet e tij të fundit, përfshirë dhe këto të pardjeshmet për të ndryshuar ministrat, vijnë prej kësaj marrëdhënieje të re.
4. Presidenti i ri i Shqipërisë, që u zgjodh disa ditë më parë në Kuvend, nuk është miratuar nga Washingtoni.
5. Opozita shqiptare është e dobët, dhe Washingtoni ka filluar të japë shenja zhgënjimi ndaj kësaj opozite.
Janë nënvizime që nuk të bindin. Në fakt, është bindëse gjysma e parë e përfundimit të pestë, d.m.th. që opozita jonë është e dobët përballë pushtetit të Berishës; është bindës deri në njëfarë mase dhe përfundimi i katërt, pasi ambasadori Arvizu ka dhënë shenja mospëlqimi ndaj presidentit Nishani e ndaj mënyrës se si ai u zgjodh; mirëpo, edhe ky pohim është i ngritur mbi një premisë shumë të diskutueshme: Washingtoni është një me Arvizunë.
Nënvizimet e tjera të Ngjelës duken disi të kërkuara. Nuk ka prova që demonstrojnë se Meta po na u shndërruaka në një kanakar të Washington-it, e aq më pak ka prova se ndryshimi i ministrave të bëra nga Meta këto dy ditët e fundit është një operacion që vjen prej marrëdhënieve të mira të tij me Washington-in, e që synon përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. Diplomacia amerikane është prore e dalluar prej instinktit të Real-politikës, e prej qasjes amorale ndaj establishmenteve që sundojnë në vende si Shqipëria, por puna është se nuk ka asnjë element të Real-politikës që ti hedhë ata në këtë moment te një flirt me Metën. Apo ka, dhe nuk arrij ta shoh unë?
Është po kështu e pabazë ideja tjetër se apeli i ambasadorit në sallën e Teatrit Kombëtar i drejtohej opozitës dhe se ky mesazh e ftonte këtë të fundit të organizonte protesta. Ngjela ka bërë një lexim shumë të vetin të fjalës së ambasadorit. E kundërta mund të jetë e vërtetë. Rama është duke bërë të urtin, të shtruarin, konstruktivin, dhe nënshkruesin e çdo appeasement-i me Berishën, sepse këtë gjë ose ia këshillojnë ambasadorët, ose ia pëlqejnë ata. Rama mund të mos ketë asgjë të qartë në kokën e vet, por një gjë duket se e ka të qartë: Ai nuk do të bëjë asgjë pa ok-in e ambasadorëve, e sidomos pa ok-in e ambasadorit amerikan. Dhe ky i fundit nuk është se është ndonjë protestaxhi i madh. Përkundrazi, ka dëshmuar në çdo moment se është një protesta-mbytës. Arvizu-ja është i terrorizuar nga çdo protestë. Ai, sa herë që lajmërohet ndonjë manifestim krejt i pafajshëm dhe krejt i parrezikshëm (nga gay-të deri tek ambientalistët), nxjerr njoftim për shtetasit amerikanë tu rrinë larg vendeve të grumbullimit të njerëzve, pasi situata mund të precipitojë në dhunë. Ambasadori Arvizu e ka përuruar mandatin e tij ambasadorial duke anatemuar e shuar protestat e lajmëruara në vijim të plojës që u bë në bulevard prej Gardës së Republikës, madje, solidariteti i tij me policët e lënduar dhe shpërfillja që ai u bëri katër jetëve të humbura (këtë qëndrim ndaj asaj ngjarjeje e ka mbrojtur sa herë që ka pasur rast) duket se e ka burimin te një qasje a frymëzim i tij kulturor: ai parapëlqen stabilitetin në dëm të demokracisë dhe, si të gjithë paraardhësit e tij, nuk ka mësuar se, nëse ka një mënyrë për të fqinjëruar me destabilitetin, kjo është ti japësh rëndësi stabilitetit përpara demokracisë e shtetit ligjor.
Dhe tani vijmë te teza e Ngjelës, që thotë se Washingtoni është prishur me Berishën. Çkuptojmë me Washington? Me siguri kuptojmë Departamentin e Shtetit, ose më saktë, zyrtarë të rëndësishëm të këtij departamenti që merren me Shqipërinë. E çsinjal ka dalë prej andej, që flet për një marrëdhënie të vështirë mes Berishës dhe Washington-it? Nuk ka dalë ndonjë sinjal. Madje, është e kundërta. Tre muaj më parë, Berisha i bëri një vizitë në zyrë Hillary Clintonit, dhe në atë bisedë nuk ka pasur asnjë vërejtje të së dytës në adresë të të parit për mënyrën se si qeveriset vendi i shqipeve. Berisha u kthye nga Washingtoni i këndellur dhe entuziast si kurrë më parë. Mos vallë janë prishur tani, me rastin e zgjedhjes së Presidentit? Ska gjasa. Ata su prishën kur Berisha vriste ditën me diell opozitarët që kishin dalë në bulevard të protestonin, kur Berisha shpalli horrat e laviret e bulevardit, kur vidhte faqe botës postin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit më 8 maj etj., etj., e prandaj nuk ka se si të prishen që Berisha, në respekt të plotë të Kushtetutës, zgjodhi në krye të shtetit një delfin të tij.
Po, është e vërtetë, Arvizu-ja vetë duhet të jetë zhgënjyer prej Berishës; është zhgënjyer pasi, teksa i ka dalë krah në prapësitë që ka bërë, është shpërblyer prej tij me prapësi të tjera më të rënda. Por Arvizu-ja nuk ka çfarë të bëjë më tepër. Për tri arsye: Së pari, këtu nuk ka një opozitë që ti hapë sytë, e që ti shpjegojë se ajo është në gjendje, dhe meriton, të marrë në dorë fatet e vendit të vet; së dyti, askush në Washington nuk e merr në telefon për ti thënë se Berishës duhet ti jepen duart; dhe së treti, ai vetë nuk di të luajë në skenën shqiptare. Arvizu ka shumë mjete për ti vënë në punë e shumë hapësirë ku mund të lëvizë, por ai po bën çdo gjë gabim. Nuk po arrin të kuptojë se protagonizmi i tij nuk na vlen për asgjë. Nuk na vlejnë takimet e kafetë që pi nëpër lokalet e Tiranës në praninë e fotografëve. Nuk na vlen pjesëmarrja e tij në teatrin e politikës sonë (siç ishte promovimi që ai u bënte individëve të caktuar në lojën presidenciale). Nuk na vlen fushata me titullin Act Now! Do të na ndihmojë? Ai nuk mund të na tregojë neve se cili është politikani i mirë e cili është i keqi. Le të na i lërë neve të këtushmëve këtë mundim. Ka vetëm një mënyrë për tna ndihmuar, aq sa mund të na ndihmojë e nëse do të na ndihmojë. Të thotë një fjalë e të ngrejë zërin sa herë që dhunohen rregullat e lojës, sa herë që shpërfillen hapur institucionet, ja siç bëri para tri ditësh me kritikën e qartë ndaj KQZ-së e siç nuk desh ta bënte më 8 maj. Ai duhet po përsëris mesazhin e shkrimit të fundit në Shqip të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje normale. Nuk na ndihmon dot lidhur me këtë gjë? Epo mirë, atëherë. Si kërkohet gjë tjetër.
Duke lexuar Ngjelën që lexon Washington-in burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci