E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia sot voton. BBC: E diela stuhi për euron

ATHINE - Dje në Greqi ishtë heshtje zgjedhore, disa orë përpara fillimit të votimeve kritike, kur askush nuk di të thotë as me përafërsi, se çfarë mund të vendosin votat e qytetarëve, derisa kutitë e votimit të jenë ende të mbyllura. Ajo që dihet është se sot votohet nën presionin e madh të pasojave të krizës ekonomike, e cila është ndoshta më e keqja, që ka përjetuar shoqëria greke në historinë moderne.

32 forca politike janë regjistruar zyrtarisht për këtë garë zgjedhore dhe 9 850 802 grekë kanë të drejtën e votës. Faktorë përcaktues të rezultatit të votimeve të nesërme pritet të jenë shkalla e abstenimit, sjellja elektorale e votuesve të rinj (359 959 persona votojnë për herë të parë), e grave (5 079 425), pensionistëve si dhe rezultati në zonat e mëdha si Athina, ku votojnë 1 410 493 persona, apo afërsisht 1/5 e elektoratit. 

Qytetarët grekë janë më të paqartë se kurrë për atë se kujt duhet t’ia besojnë të ardhmen e tyre, pasi konsiderojnë se forcat politike tradicionale PASOK dhe ND janë bashkëpërgjegjëse për situatën ku ndodhet Greqia. Megjithatë këto parti vazhdojnë të pretendojnë se vetëm ato mund ta shpëtojnë vendin nga falimentimi, përballë disa forcave ekstreme që premtojnë anulim të memorandumit te masave. 

Situata është e rrezikshme dhe kreditorët e Greqisë po shprehin hapur shqetësimin dhe paralajmërimet e ashpra. FMN kërkon vazhdimin e reformave nga çdo qeveri, ashtu si ministri gjerman i Financave, Schauble që paralajmëroi se “Greqia do të duhet të vuajë pasojat në qoftë se qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve, nuk do të respektojë zotimet e saj”. “Pjesëmarrja në BE është vullnetare", tha ai duke shtuar se "rezultatet e zgjedhjeve si në Greqi ashtu dhe Francë, nuk do të kenë ndonjë ndikim substancial në politikën ekonomike gjermane". 

Ndërkohë, edhe rrjeti britanik BBC vë në dukje, se "vendi ku lindi demokracia, po përballet tani me një test të vështirë". Në analizën e tij, redaktori ekonomik i BBC, Paul Mason thotë se e diela mund të shkaktojë një Euro-stuhi. Sipas BBC, nëse qeveria e re dështon për të nxitur hapat e kërkuara nga Trojka, shpëtimi i vendit hyn në vështirësi dhe do të vihet në pikëpyetje qëndrimi në eurozonë.  

BBC vëren faktin se deri tani fitues duket Antonis Samaras, i cili mund të vijë në pushtet vetëm me një qeveri koalicioni, por një koalicion me PASOK, do të jetë tepër i lodhur për shkak të rritjes së mbështetjes për partitë e tjera. Analiza e vë në dukje se shumë parti që shprehen kundër memorandumit pritet të dobësojnë PASOK dhe ND. Sipas analizës, "në rastin se pas zgjedhjeve, forcat ekstreme hyjnë në koalicion qeverisës, vendi mund të shkojë në një "grusht shteti të butë", ose në një qeveri që jo vetëm do të kundërshtojë masat e kursimit, por do të kërkojë edhe shoqërizim të ekonomisë. Dy skenarët e fundit do të vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Greqisë në euro dhe aftësinë për zbatimit të kushteve të Kopenhagenit dhe të Lisbonës", thotë Paul Mason. 

Duke përfunduar analizën e tij, reporteri i BBC vë në dukje se paqëndrueshmëria politike dhe polarizimi mund të çojë në një forcim të mëtejshëm të së djathtës ekstreme, gjë që po vërehet kohët e fundit në Holandë, Danimarkë, Itali dhe Finlandë.

Gjithësesi, çdo analizë apo parashikim do të fillojë të verifikohet nesër pas orës 19 00, kur të jenë mbyllur kutitë e votimit dhe exit poll-et të na krijojnë një ide për orientimin e votës, ndërsa ndoshta rreth mesnatës mund të fillojnë të dalin rezultatet e para zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›