E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave lehtëson detyrimet ndaj biznesit

05-05-2012 / Gazeta 55

Ministria e Financave lehtëson detyrimet e biznesit duke vendosur një variant të ri në parapagimin e taksës së tatim - fitimit. Nëse aktualisht taksa e tatimit mbi fitimin paguhet çdo muaj, me formulën e re të shlyerjes së detyrimit kjo taksë do të parapaguhet një herë në çdo tre muaj. Me ndryshimin e nenit 30 të këtij projektligji “Gjatë periudhës vijuese, tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këste tremujore të tatimit mbi fitimin, jo më vonë se data 15 e muajit janar, prill, korrik dhe tetor.
Sipas Ministrisë së Financave taksa e sheshtë prej 10% e parapaguar në çdo tremujor apo katër herë në vit do të lehtësojë situatën e pagesave duke ulur kështu edhe burokracitë. Në relacionin e MF sqarohet se “Arsyeja kryesore e propozimit të këtij projektligji lidhet me përmirësimin e indikatorëve të Shqipërisë në raportet vjetore të Bankës Botërore “Doing Business”. Konkretisht, në bazë të ligjit ekzistues të tatimit mbi të ardhurat dhe e evidentuar në indikatorin “Paying Taxes”, për nënkomponentin e tatimit mbi fitimin, një subjekt bën 13 pagesa gjithsej për pagimin e taksës, 12 prej të cilave janë parapagim i kësteve dhe një është e lidhur me deklaratën vjetore”. Gjithashtu Ministria thotë se, marrja e detyrueshme nga administrata tatimore e këtyre pagesave paraprake rezulton në faktin se tatimpaguesve u mohohet mundësia e përdorimit të fondeve që mund të kenë rëndësi të madhe për mbijetesën e veprimtarisë së tyre tregtare dhe që administratës tatimore do t’i duhet gjithsesi t’i rimbursojë në të ardhmen. Ndryshimet mbi skemën e parapagimit të tatim-fitimit, do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2013, megjithatë, vendimi final do të merret pas diskutimeve në qeveri.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për vitin 2011 arritën në rreth 19.7 miliardë lekë nga 17.6 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rritje të ndjeshme prej 12 për qind, duke arritur në muajin maj në vlerën më të lartë, me 104%.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›