Qeveria, monedha floriri me portretin e Nënë Terezës
Një sasi monedhash floriri dhe argjendi me portretin e Nënë Terezës do të priten nga qeveria shqiptare me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shenjtores shqiptare. Vendimi u njoftua dje nga Kryeministri Sali Berisha, i cili bëri të qartë se ky vendim nuk prek rezervën e shtetit, pasi qeveria mund ta blejë në treg kundrejt vlerës metalin e çmuar. Në mbledhjen e qeverisë, Berisha i kërkoi Bankës së Shqipërisë që të merret me prerjen e këtyre monedhave, të cilën ai e siguroi se nuk do të preken rezervat shtetërore. Ky vit, - tha Kryeministri, - është 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës, pra është viti i Nënë Terezës. Unë, - shtoi ai, - ndjek me angazhim të gjithë hapat, masat dhe aktivitetet që po zhvillohen në kuadrin e këtij 100-vjetori. Por mendoj se në nderim të saj, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, qeveria të presë me fondet e buxhetit një sasi monedhash floriri dhe argjendi me portretin e saj. Duhet të nisim shumë shpejt procedurat dhe natyrisht, do të jetë Banka e Shtetit që do të përmbushë prerjet, sikundër metali me vlerë do të blihet nga qeveria. Ky vendim nuk e prek rezervën, pasi ajo nuk preket, por qeveria mund të blejë në treg, kundrejt vlerës, metalin e çmuar dhe duhet të organizohet dizenjo. Komisioni të ketë edhe ekspertë të vlerave monetare nga Banka e Shtetit, nga Ministria e Financave, por, natyrisht, edhe dizenjatorë, të cilët do të bëjnë që ne të nderojmë gruan më të shquar të kësaj toke, të të gjitha kohërave, - u shpreh Kryeministri Berisha.